Kryeministri Edi Rama deklaroi se plani i qeverisë për të rritur pagat për disa kategori të caktuara deri më tani nuk është ndikuar nga lufta në Ukrainë.
Rama u shpreh se edhe mbajtja e çmimit të energjisë në kostot aktuale do të ketë një kufi duke iu referuar edhe qëndrimit që po mban Shqipëria në raport me luftën.
“Është herët për të folur për këtë. Për momentin nuk kemi asnjë tundim apo ide që të shkojmë në drejtim të shkurtimeve të atyre që kemi përcaktuar si prioritete. Rritja e pagës minimale patjetër. Zerimi i taksës për rrogat deri në 40 mijë lekë patjetër. Mbajtja e biznesit të vogël me zero taksë patjetër. Zero taksë deri në 140 milion xhiro patjetër.
Rritja e pagave për mësuesit. Mjekët dhe ushtarakët dhe të gjitha kategoritë e tjera patjetër. Të gjitha këto me ndihmën e Zotit tani. Do të shohim si do të vazhdojmë.
Duam patjetër ta mbajmë çmimin energjisë këtu por edhe kjo do të ketë një kufi. Dua ta them kemi zgjedhur të përkasim në një front shtetesh ku jeta e sjell me sakrifica.
Nuk kemi zgjedhur te jemi neutral. Dhe me plot të drejtë jemi pozicionuar aty ku duhet.
Kjo vjen me kosto. Sot jemi pjesë e një fronti lufte. Jo me armë por me të gjitha këto që flasim. Solidariteti me Ukrainën nuk është me njerëz në një hall të madh, por vetëmbrojtje e pastër për të mos lejuar që ajo që ndodh atje të vijë edhe këtu.
Këto janë sakrificat e luftës. Nuk është një luftë që mund t’ia lëmë televizorit se na ka ardhur në shtëpi, te mallrat e konsumit, nafta dhe faturat e energjisë”, tha Rama.