Timo Flloko është një nga personalitetet më të vlerësuar të kinematografisë shqiptare dhe skenës teatrore. Rolet e shumta në kinematografi dhe teatër, i kanë dhënë një vend të rëndësishëm në artin dhe kulturën shqiptare.
Mbi 40 role në kinematografi, mund të numërohen, ku veçantia e personazheve të interpretuara e diferencojnë artistin. Veç anës artistike dhe talentit të spikatur për aktrim, Timo Flloko është edhe një nga profesorët më të respektuar të Fakultetit të Artit Skenik.
Aktori i njohur Timo Flloko i ka falur ndër vite publikut shqiptar, emocione pafund të cilat janë vlerësuar dhe duartrokitur nga publiku.
Por jo shumë e dijnë se Flloko ka jetuar për 6 vite si emigrant në SHBA, nga 1997 deri ne 2003.
“Peja, Vlora dhe Tirana kanë kushtëzuar natyrën time si njeri e si artist dhe pa dyshim që kanë ndikuar. Linda në një klimë kontinentale. Në Pejë bie shumë dëborë.
Në Vlorë kalova fëmijërinë, pranë detit, shijova të gjitha aromat bukuritë e tij, thellësinë, kaltërsinë, mbrëmjet me yje, gjithçka të bukur, që më ka frymëzuar më vonë për motivet e mia. Në Tiranë studiova dhe u formova si artist, në kuptimin profesional.
Gjyshi dhe babai kanë qenë nga Gjirokastra. Unë edhe pse nuk kam jetuar asnjë ditë si banor i atjeshëm, veçse në mënyrë artistike, apo ëndërrore, duke luajtur disa role përfshi këtu dhe atë të Çerçiz Topullit. Gjirokastra është një qytet ndër më të bukurit e trevave shqiptare.
Nga koha në kohë njeriu përfton përvoja emocionale nga më të ndryshmet dhe çfarë mbetet është ajo çfarë kujtesa e ruan me fanatizëm.
Në jetën time, ka mbetur gjeografia e Pejës. Pas viteve ’90 kam shkuar atje disa herë dhe kam përjetuar emocionet e hershme të atyre viteve, pra për aq sa jetova deri në moshën tetë vjeçare, dhe më kanë mbetur gjithë ato kujtime, që njeriu i përfton në fëmijëri dhe nuk i harron kurrë.
Në Vlorë siç e fola më lart, kurse Tirana pastaj i zgjeroi hapësirat. Qyteti i katërt ku kam jetuar gjatë është Los Angelesi, ku u vendosëm në vitin ’97 deri në vitin 2004; atje sot jeton ime bije, Linda me familjen e saj, qytet të cilin e vizitoj shpesh. Edhe Los Angelesi ndikoi, në një sens, sepse për artistin gjithmonë vlejnë lëvizjet e mëdha, ridimensionimet.
Kam shkruar për Pejën një poezi në librin tim të parë, kam shkruar për Vlorën por në poemat e mija unë shkruaj për Parisin ku kam jetuar në kohë të ndryshme, dhe siç duket këto largësi më janë imponuar në një sens. Do doja të kisha shkruar një poemë për Tiranën a për Pejën por ja që nuk ka ndodhur. Ndonjëherë gjërat kanë fatin e vet, ndodhin ose nuk ndodhin”, shprehet Timo Flloko në një nga intervistat e tij të rralla.