E dimë, me siguri sapo lexuat menduat që jemi “çmendur” sepse të shtosh vaj ulliri në shampo nuk është edhe aq higjienike, por ka eksperte të fushës së bukurisë që e përdorin dhe madje e këshillojnë. Më poshtë ju shpjegojmë arsyet që ndoshta do t’ju bindin edhe juve ta provoni këtë gjë.
Funksioni kryesor i shampos është të pastrojë skalpin dhe flokët nga vajrat. Dhe kur themi vajrat, nuk nënkuptojmë vetëm sebiumin (yndyrën natyralë të folikulave).
Shumë nga produktet e stilimit apo mirëmbajtjes që ne përdorim, kanë vajra në përbërjen e tyre dhe për këtë arsye, shampoja duhet të jetë e fortë për të bërë të mundur largimin e tyre.
Elementet e shampos që kryejnë këtë funksion janë surfakantët, të cilët njihen si përbërës të ashpër. Megjithatë, nuk mund të bëjmë pa to, sepse përndryshe papastëritë do të na ngeleshin në flokë e në skalp.
Idealja do të ishte të gjenim një shampo që ka mjaftueshëm surfakantë për të na hequr vajrat e tepërt dhe papastërtitë, por jo aq sa të na e lërë flokun të thatë e të ashpër.
Shpesh, gjetja e një produkti të tillë është gati e pamundur, ndaj ekspertët e fushës sugjerojnë këtë zgjidhje praktike: shtimi i disa pikave të vajit të ullirit në shampon tuaj.
Kjo praktikë do të bëjë të mundur pastrimin siç duhet të lëkurës së kokës, dhe flokëve duke i lënë ato të butë , të hidratuar dhe jo të thatë e të ashpër.