Krepa (ose siç njihen në popull, pallaqinkat) janë petat shumë të holla dhe të buta që gatuhen në sipërfaqe të nxehta dhe që janë në formë rrethore.
Ato përgatiten me vezë, miell, qumësht, gjalpë dhe pak kripë, duke u lyer më pas me xhem ose sos. Sot, kemi vendosur t’jua tregojmë recetën më të mirë të brumit të krepave.
Për t’i përgatitur krepat siç duhet, duhet t’i kushtoni vëmendje dozës së përbërësve dhe kohës së përgatitjes, në mënyrë që brumi të mos bëhet shumë i hollë ose shumë i trashë.
Përbërësit për 6 persona: 6 vezë, 500g miell 00, 1l qumësht, 60g gjalpë, Pak kripë.
Si t’i përgatitni krepat? Vendosni vezët në një enë, rrihni, shtoni qumështin dhe pak kripë.
Siteni miellin dhe shtojeni në përzierje. Shtojeni gjalpin e shkrirë dhe të ftohur dhe përzieni mirë derisa masa të bëhet homogjene. Më pas, lëreni të pushojë në frigorifer për të paktën 30 minuta.
Merreni tiganin për krepa, vendoseni në zjarr me pak gjalpë dhe shtojeni brumin derisa të shtrihet në tërë tiganin duke krijuar një formë rrethore të hollë.
Gatuajeni për pak minuta në temperaturë të ulët. Me një shpatull, rrotullojeni dhe vazhdojeni gatimin në anën tjetër, derisa të marrë ngjyrë të artë.
Sapo të gatuhen, krepat mund të mbushen si me gjëra të nxehta, ashtu edhe të ftohta. Ju bëfshin mirë!