Disa nga pjatat më të njohura të Dibrës janë: pulë me qullë, jufka me pulë fshati, byreku, specat me gjizë, e plot pjata të tjera të gatuara me produkte bio e përmes një tradite të trashëguar nëpër breza. Sofra dibrane është e mbushur me gatime tipike shtëpie, që i serviren kujtdo që zgjedh të vizitojë këtë zonë.
Ku ka më mirë se të provosh petullat e shtëpisë, bukën e mrume, gjizën me gjalp e vezë, apo turshitë nën një atmosferë mikëpritëse mes dibranëve fisnikë. Por sot do te ndalojme te receta dhe pergatitja e pules me qulle.
PËRBËRËSIT: 1 pulë, 1-2 gota miell misril, 1ugë gjelle gjalpë, 1 lugë gjellë vaj ulliri, 1.5 litër ujë, kripë dhe piper i kuq.
PËRGATITJA: Në një tenxhere me pak gjalpë kaurdisim pjesët e pulës. Më pas shtojmë ujë dhe i lëmë të ziejnë. Në një tigan hedhim miellin e misrit dhe shtojmë gradualisht buljonin e përftuar nga zierja e pulës.
E trazojmë mirë që mielli të mos krijojë kokrra, rregullojmë shijen me kripë dhe piper dhe këtë masë e kalojmë në një tavë. Vendosim pjesët e pulës dhe e spërkasim sipërfaqen me piper të kuq.
E vendosim tavën në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë Celsius për 30 minuta. Ju bëftë mirë!/living