Më 26 dhjetor 2016 arti shqiptar humbi një kolos të kinematografisë. Bujar Lako u nda nga jeta në moshën 68 vjeçare si shkak i një ataku kardiak! Në teatër Bujar Lako ka interpretuar rreth 70 role në shfaqje teatrore. Ai gjatë karrierës së tij u vlerësua edhe me shumë çmime.
Disa herë ka fituar çmimin si aktori më i mirë në festivalet e filmave në Shqipëri, “Palmën e Artë” si aktori më i mirë në festivalin ndërkombëtar të filmit në “Cairo”, një festival i kategorisë “A” për kinematografinë botërore.
Bujar Lako është nderuar gjithashtu edhe me urdhrin “Naim Frashëri” i klasit të parë, me titullin “Artist i Merituar” në vitin 1985 dhe në vitin 2013 iu dha edhe titulli “Nderi i Kombit” nga presidenti i Republikës.
Interpretimi i tij më i fundit do të jetë në vitin 2009 në filmin “Muaji i mjaltit” në rolin e Rrokut. Bujar Lakon e gjejmë edhe në rolin e spikerit në përmbledhjen muzikore të Aleksandër Peçit “Vajtimi Shqiptar” kushtuar “vitit të zi 1997” në vitin 1997.
Në këtë përmbledhje Bujar Lako reciton pjesë nga “Epika e Gilgameshit”. Kjo përmbledhje do të jetë dhe prezantimi i parë i muzikës shqiptare moderne në Amerikën e Veriut.