Është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare, mjeku i njohur Isuf Kalo. Ai lindi në vitin 1942 në Tepelenë, ku edhe kreu shkollën e mesme, për t’u diplomuar në vitin 1964 në fakultetin e Mjekësisë. Profesor Kalo ishte një nga pionierët e fushës së endokrinologjisë në Shqipëri.
Përgjatë viteve 1991 dhe 2004 ai shërbeu në Zyrën Rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën duke drejtuar Programin Europian të Diabetit dhe më vonë Programin e Cilësisë së Sistemit Shëndetësor në Evropë. Ai ishte autor i një sërë botimesh në shtypin mjekësor brenda dhe jashtë vendit.
Për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Përmes një postimi në rrjetin social te saj, Manastirliu shkruan se bisedën e fundit me Kalon e kishte në Dhjetorin e kaluar dhe se kontributi i tij për mjekësinë shqiptare është i paçmuar.
“Me hidhërim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të prof. Isuf Kalos. Bisedën e fundit me prof.
Kalon e pata në mesin e dhjetorit, kur e ftova për të marrë pjesë në një prej atyre ngjarjeve që për profesorin ishin ”pikë e dobët”, akreditimi i institucioneve shëndetësore. Një proces që kishte pionier prof. Kalon dhe vizionin e tij.
Por kontributi i profesor Isuf Kalos është i paçmuar për mjekësinë shqiptare, në shërbimin e Endokrinologjisë në QSUT për disa dekada. Ngushëllime familjes, kolegëve dhe miqve të shumtë të profesorit. U prehsh në paqe prof. Kalo!”-shkruan ministrja.