Kjo recetë u përgatit nga Gatimet Shqiptare – Përbërësit : 320 g oriz i bardhë, 450 g kërpudha, 150 mish i thatë, 40 g presh, 1 litër lëng perimesh, 50 g djathë kaçkavall, 30 g gjalpë, majdanoz, vaj ulliri dhe kripë.
Përgatitja : Si fillim pastroni dhe prisni në rrathë të hollë preshin. Vazhdoni me pastrimin e kërpudhave dhe prerjen e tyre në feta të holla e më pas të njejtën gjë bëjeni edhe me mishin e thatë.
Ndërkohë vendosni në zjarr një tenxhere me lëngun e perimeve në mënyrë që të ngrohet paksa dhe në një tjetër tenxhere shtoni preshin dhe gatuajeni në zjarr të ulët për disa minuta.
Më pas shtoni edhe proshutën në tenxhere dhe lërini për disa minuta në zjarr të ulët. Hidhni kërpudhat, përziejini mirë dhe lërini të gatuhen për 7-8 minuta, shtoni orizin dhe lërëni për disa minuta të skuqet në texhere derisa të kthehet në transparent.
Vijoni duke hedhur në tenxhere pak nga pak lëngun e perimeve që ngrohët gjatë gjithë kësaj kohe në mënyrë që orizi të ziejë.
Përzieni herë pas here me një lugë druri dhe bëni kujdes me sasinë e kripës që do të shtoni, pasi proshuta dhe lëngu i perimeve përmbajnë kripë.
Në fund kur orizi të ketë shteruar të gjithë ujin, fikni zjarrin, shtoni gjalpin dhe përzieni përsëri. Shtoni djathin e grirë kaçkavall majdanoz të grirë të freskët, përzieni dhe një herë të fundit dhe rizoto juaj është gati./living