Në shtator, lajmi se aktori i njohur Arben Derhemi dhe ish-bashkëshortja e tij, Iva Korumi, ishin divorcuar, bëri bujë në media.
Si arsye u aludua tradhtia e Derhemit. Por në atë kohë nuk pati asnjë deklaratë zyrtare nga asnjëri prej tyre.
Duke mos iu referuar asnjë burimi specifik, Arbeni i cilësoi të gjitha këto lajme si shpifje për përfitime, por pas pak kohe, aktori vendosi të flasë vetë për këtë temë.
Në një intervistë të fundit në “Natën me Aulonën”, ai pranoi për herë të parë se është ndarë nga bashkëshortja që prej dy vitesh.
Arbeni shpjegoi se e kishte mbajtur këtë lajm larg mediave dhe se iu duk e çuditshme shpërthimi i lajmit, pasi gjithçka ishte një vendim i përbashkët dhe i qetë mes tyre.
“Është një gënjeshtër e madhe, sepse unë jam ndarë prej kohësh, gati dy vjet e gjysmë,” tha aktori.
“Nuk e kuptoj, e gjitha ishte si me urdhër, e gjitha ishte e makinuar nga një makineri e çuditshme thashethemi, maskarallëku që nuk më bën shumë përshtypje sepse kam dëgjuar shumë gjëra për miq, shokë të mitë të cilët i njoh shumë mirë, i di shumë mirë.
Por këtë radhë ishte shumë e çuditshme sepse e kam mbajtur larg jetën time private, larg televizionit, larg revistave, larg gjithçkaje sepse është e imja dhe e atyre që kanë qenë rreth meje”, tha ai.
Ai shtoi se ish-bashkëshortja e tij ka të drejtën të ndiejë revoltim për përfshirjen e jetës së tyre private në publik, pasi të dy kanë dëshiruar ta ruajnë larg vëmendjes:
“Kuptohet që ish-bashkëshortja ime ka të drejtën e vet që të revoltohet për një gjë të tillë sepse duam të mbajmë diçka jashtë kësaj.
U vendos një moment që ne të ndahemi dhe kaq, s’ka asgjë të çuditshme”, tha aktori
Dyshja, të cilët kanë një vajzë të quajtur Darlin, e lindur në 2009, kanë qenë prej kohësh një çift i njohur për publikun, por, siç duket, lidhja e tyre ka marrë fund.
Derhemi, në një intervistë për “Shije Shtëpie”, ka folur dhe për “Njerëz dhe Fate 2” dhe ndër të tjera, për arsyen se pse po rikthehet si një film dhe jo si një serial, siç ishte përfolur fillimisht.
Sipas aktorit, i cili luan rolin e Florit në film, fondi i pavarur për xhirimin e 10 serive u aprovua, por marrëveshja nuk përfundoi, pasi nuk u firmos kurrë.
“U aprovua faktikisht një 10 serish me një minimum të mundshëm të fondeve nga Televizioni Shqiptar, nga Këshilli Drejtues dhe Bordi me një fond të pavarur.
Në momentin që po nënshkruheshin letrat dhe po nënshkruhej kontrata, iku drejtori që ishte në atë kohë dhe erdhi një personazh tjetër.
Ai iku gjithashtu për dy javë dhe erdhi personazhi që iku para pak kohësh.
Ai nuk dëshironte që Televizioni Shqiptar të ishte autori i atij filizi që kishte bërë dhe atij filizit që i kishte kthyer gjithë spektatorin dhe telespektatorin Televizionit Shqiptar.
Nuk donte për motivet e veta, nuk e di. Ai anuloi të gjitha fondet”, u shpreh Derhemi.
“Këto fonde të pavarura nuk mund të shkojnë askund tjetër, kështu që të gjitha fondet në Shqipëri ndodh ajo teoria që “penalltia është e imja do ta gjuaj unë” dhe drejtori është ai që është dhe do ta gjuajë ai patjetër.
Nuk u hodh firma kurrë, por vetëm gënjehej gjithë kohën dhe nuk e di se përse gënjente.
Njeriu thotë “po” ose “jo”, nuk ka pse diskuton sepse ajo nuk ishte një gjë që m’u dha mua apo ia dhanë dikujt tjetër.
Ishte një produkt që e donte publiku, e donte Televizioni Shqiptar që domosdoshmërish të kthente dhe një herë tjetër fytyrën e Televizionit Shqiptar”.
Aktori tregoi gjithashtu dhe arsyet pse publiku e do shumë “Njerëz dhe Fate”, duke thënë se realiteti i pasqyruar i bëri njerëzit ta gjenin veten:
“Ishte një histori aq reale saqë të gjithë e gjenin veten brenda saj, çdo kush e gjente veten brenda saj, të rinjtë që ishin meshkuj e gjenin veten brenda saj, në pamundësinë e tyre për të çarë në jetë.
Familjarët që e gjenin veten brenda asaj amullisë të çuditshme familjare që ndodh në Shqipëri sot e kësaj dite dhe nuk duam ta tregojmë”, tha Derhemi.
Më pas, shtoi:
“Ai filmi ishte dhe në një farë mënyre dhe pasqyrë e pastër e realitetit, pasqyrë e thënë troç e asaj që ndodhte në Shqipëri dhe të viteve që shqiptarët ndiheshin në njëfarë mënyre mirë apo keq, në këtë aspekt”.
Arsyeja e tretë, sipas tij ishte padiskutim aktrimi dhe qasja e re e të luajturit në një film:
“E treta ishte dhe fakti që pati një lloj ndikimi në atë që u quajt telenovelë dhe mënyra se si u luajt, mënyra familjare, se si u komportonin aktorët ishte një qasje e re karshi të luajturit në film.
Pavarësisht se teknikisht filmi linte për të dëshiruar, por në kuptimin më të ngushtë të fjalës, në kuptimin aktoresk, regjisorial ishte një film që ngjante shumë me realitetin, ky është fakti ndoshta që u dashuruan shumë me të”.
“Njerëz dhe Fate 2” do të vijë në çdo kinema më 1 nëntor 2024.