Egla Ceno, e ftua në “S’e luan topi”, ka rrëfyer mes lotësh mallin për të atin, Agim Cenon, që u nda nga jeta disa vite më parë.
Në fjalët e saj, e përlotur, aktorja tregon lidhjen e fortë që ata kanë pasur dhe momentet e frikshme kur ai pësoi hemorragji cerebrale.
“Ka qenë një njeri gjakëmbël. Këtë nuk ma ka trashëguar për fat të keq. Mblidheshin pas tij shumë njerëz, kaçurrel si puna ime.
Kisha një stol ku shihja filma dhe kur atij i mungonte asistenti, asistenti i tij isha unë, ngrija një pulsant dhe filmi nuk ndërpritej.
Ecnim nga Poliçani deri në Peshtan te gjyshja, ecnim rreth dy orë larg në këmbë, mblidhnim lule, bënim kurora.
Para pak ditën takova mamin andej dhe…(qan) më ka marrë malli. Ka vdekur aq veç sa jam unë sot.
Mami më thotë që duart i kam si babi dhe kaçurrelat. Jam krenare që i kam ngjarë. Sa kisha mbushur 18 vjeç kur ndërroi jetë.
Më merrte kudo me vete, në kinostudio dhe dasma, në kinema sigurisht, në shfaqje…
Më dha atë që mund të më jepte, nëse më bie rasti trashëgoj një këshillë nga im atë që më thoshte ‘bëj çfarë të dojë zemra, por kur të ikësh mos të thonë ja kjo’ dhe një gjë tjetër që nuk e kam kuptuar deri vonë, më thoshte ‘çdo ves mund të falet, ama vjedhja është mama i gjithë veseve.
Unë isha gjimaziste, ai dilte çdo mëngjes pinte kafe te një lokal afër kinoteatrit.
Dy raste më janë fiksuar në kokë me babin, ditën kur i ra hemorragjia cerebral kam kërkuar për të dalë jashtë nga ora e mësimit, ndenja ankth.
U afrova te lokali dhe një shok i babit më merr dhe më afron te lokali ku ishte babi. Shoh tim atë që po pësonte hemorragjinë. Vjen ambulanca dhe e transferon në Berat, aty ka ndenjur 14 ditë.
Një natë para se të vdiste më përsëritej kjo gjendje. Ishte e vështirë dhe të lëvizje, të ishe femër mund edhe të grabiteshe.
Gjetëm një makinë u nisëm dhe e kam takuar, nuk fliste ishte paralizuar gjysma e tij e djathtë. I thash se do të sjell dhe çunat, diçka u mundua të thoshte, por nuk e bëri dot. Ika në shtëpi atë mbrëmje dhe ditën tjetër e sollën pajetë.
Më ka ngelur peng që nuk arriti të jetojë. Unë e gëzoj çdo ditë, kam energji të madhe, e di që dhe ai do ishte kështu. Nuk mundi të bëjë shumë gjëra. Më vjen keq për të”, tha Egla në rrëfimin e saj.//TCH