Këtë të shtunë, artistja Inida Gjata, ishte e ftuar në Euronews Albania, ku komentoi një video që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale dhe ku pretendohet se është artistja shqiptare Parashqevi Simaku, e cila merr ndihma për Krishtlindje në New York, për shkak të kushteve të vështira ekonomike.
Gjata tha se personi në video nuk është Parashqevi Simaku.
Ajo shtoi se këngëtarja shqiptare nuk ka kërkuar ndihmë dhe as nuk ka nevojë për ndihmë, pasi, nëse do të kishte, ajo ka aq miq të fuqishëm sa edhe satelitët e Elon Musk mund t’i zbresë në tokë.
“Kur nuk kërkohet ndihma, nuk ka pse bëhet gjithë kjo zhurmë e madhe.
Është një lajm i fabrikuar, e para, ajo zonja nuk është Parashqevi Simaku.
E dyta, Parashqevi Simaku e di kujt t’i kërkojë ndihmë, pasi ka aq miq të fuqishëm sa edhe satelitët e Elon Musk i ul në tokë po të dojë.
Është e turpshme kjo që po ndodh. Përmes kësaj krijohet një reaksion zinxhir që bëhet shumë i dëmshëm. E para, përfshihen familjarët e saj.
E dyta, bëhen lloj-lloj dallaveresh dhe përmenden njerëz përpara 40 vitesh, duke bërë të gjithë sikur po e ndihmojnë. Ju po e zhysni në dëshpërim Parashqevinë me këtë që po bëni”, tha Gjata.
Gjata shtoi gjithashtu, se nuk mund të shkatërrohet imazhi i një artisteje të madhe nga njerëz që bëjnë si humanistë.
Ajo nënvizoi se nuk mund të ndihmohet një person që nuk dihet kush është dhe aq më tepër kur ndihma nuk të kërkohet.
“Nuk mund të shkatërrosh imazhin e një njeriu duke riprodhuar lajme të pavërteta, duke supozuar se kjo zonja është Parashqevi Simaku, duke ngritur të madh e të vogël dhe duke bërë si humanistë.
Ky është sadizëm i pastër, të mos e lësh tjetrën rehat që ka 30 vjet që ka vendosur të jetë rehat.
Pse është larguar ajo? Nga gojët e liga të shqiptarëve, pasi nuk është hera e parë që Parashqevi Simaku bëhet pjesë e këtyre gojëve të liga”, tha ajo.
Kujtojmë që një video e transmetuar në kanalin më të ndjekur në New York, Abc7 dhe që u ripublikua nga gazetari Blendi Fevziu, pasqyronte një grua me emrin Nolfe Simaku që merrte ndihma për shkak të kushteve të vështira ekonomike.
Video tronditi rrjete sociale, pasi shumë persona pretendonin se ajo ishte artistja shqiptare Parasheqvi Simaku.
Por ishin familjarët e vetë këngëtares dhe shumë persona të tjerë, të cilët pranuan se personi në video ishte këngëtarja e njohur.