Një i afërm i këngëtares Parashqevi Simaku ka zbuluar sot gjendjen e saj pas shtrimit në spitalin psikiatrik. Ai ka bërë të ditur se e ka vizituar në spital dhe gjendja e saj është përmirësuar ndjeshëm, krahasuar me ditën e parë të shtrimit.
Gjithashtu, ai ka treguar se dy infermiere me origjinë shqiptare e kanë takuar këngëtaren në spital pa lejen e familjarëve, ndonëse me dashamirësi. I afërmi ka theksuar se këto vizita, për të ruajtur privatësinë dhe mirëqenien e saj, nuk do të lejohen më pa miratimin e familjes.
“Sapo dola nga një takim me Parashqevi Simakun në spital dhe ajo është shumë më mirë se më parë. Nuk është ende në gjendjen e saj më të mirë, por ka një përmirësim të dukshëm. Familja ka vendosur të mbajë konfidenciale vendndodhjen e saj për arsye të kuptueshme. Parashqevia më tha për dy infermieret që e kishin takuar me dashamirësi, por familjarët nuk aprovojnë këto vizita dhe kanë kërkuar që të ndalen,” tha ai.
Ai shtoi se çdo vizitë duhet të aprovohet nga familjarët e saj të afërt, si djali, vëllai, apo të afërmit e tjerë. Në të kundërt, janë të gatshëm të ndërmarrin masa ligjore për mbrojtjen e privatësisë së saj.
Në fund, i afërmi e përmbylli me një notë pozitive, duke thënë se Parashqevia po përmirësohet dhe ka shpresë që së shpejti të kthehet në shtëpi për një rehabilitim të plotë dhe të vazhdojë jetën normalisht.