Meteorologia Lajda Porja ishte këtë të hënë në një lidhje direkte ku bëri parashikimin e motit për këtë javë.
Ajo tha se janari pritet të mbyllet me temperatura të larta, ndërsa shtoi se moti do të jetë i qëndrueshëm ditë e sotme dhe të martën, ndërsa nga e mërkura do të rikthehen reshjet e shiut.
Sipas saj të premten dhe të shtunën do të kemi sërish një mot të kthjellët, ndërsa java do të mbyllet të dielën me rrebeshe shiu.
“Kjo javë do i ketë të gjitha nuancat edhe pse ne ende na duket sikur jemi në ditë vjeshte, pasi temperaturat janë mjaft të larta ndonëse jemi në mes të dimrit. Temperatura minimale sot do jenë 1 ose 2 gradë në zonat verilindore, ndërsa maksimale gjatë ditës së sotme ngjiten në 19 gradë. Janë temperatura në disa zona 4 apo 5 gradë më të larta se ç’duhet të regjistrojë janari.
Parashikohet që edhe ditën e nesërme moti të jetë i ngjashëm me ditën e sotme. Ndërsa vonë në mbrëmje pritet të ketë reshje si fillim në zonat veriore dhe gradualisht të mërkurën do të përfshijnë të gjithë territorin shqiptar. E mërkura dhe e enjtja do jenë me reshje të cilat do shoqërohen edhe më stuhi të forta ere.
Parashikohet një ndërprerje e reshjeve ditën e premte dhe të shtunë ndërsa ditën e diel do të kemi sërish rrebeshe shiu. Temperaturat gjithsesi do të vijojnë të jenë mjaft të larta deri në përfundim të janarit”,-tha Lajda Porja.