Intervistë me Elvirën Tata, gruan që rigjeti dhe ndihmoi Parashqevi Simakun
Dy ditë pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale nga gazetari Blendi Fevziu, ku një grua me pamje të ngjashme me këngëtaren legjendare Parashqevi Simaku shfaqej në një kronikë të televizionit amerikan ABC7, rrjetet shpërthyen:
A është kjo diva jonë?
Në Manhattan, Elvira, një shqiptare me zemër të madhe, pa videon dhe ndjeu menjëherë një thirrje të brendshme. Me një parandjenjë të fortë dhe një dëshirë të pashpjegueshme, ajo nisi kërkimin në rrugët e qytetit. Vetëm pak orë më vonë, në një cep pranë Penn Station, ajo e gjeti.
“Iu afrova dhe e pyeta: ‘Are you Parashqevi Simaku?’ Ajo më pa në sy dhe tha ‘Yes’. U drithërova e tëra,” – tregon Elvira, e cila që nga ai moment nuk e la më vetëm.
Parashqevia, me një buzëqeshje të ëmbël, ndonëse në vështirësi, i tregoi Elvirës se ndodhej atje duke pritur një avokat që të ndihmonte në ribashkimin me djalin e saj. Elvira, me një ndjeshmëri të rrallë, i dhuroi buzëkuqin e saj të ri Dior, hoqi nga qafa shallin e saj dhe i dha byrekun që kishte marrë ta hante në pushimin e drekës në punë.
Që nga ai moment, nisi një histori miqësie, përkushtimi dhe dashurie njerëzore që do të prekte zemrat e shqiptarëve anembanë.
Komuniteti reagon: ‘Mos e lër vetëm’!
Pasi Elvira postoi një foto dhe një video me Parashqevinë në rrjetet sociale, telefoni i saj nuk pushoi më. Shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, diaspora – të gjithë kërkonin të ndihmonin. Zonja Fotini Kokeri nga Florida i telefonoi menjëherë duke i thënë: “Mos e lër më vetëm, vendose në hotel, unë e paguaj.”
Shumë të tjerë u ofruan, përfshirë edhe aktivistin Elton Ilirjani, i cili gjithashtu shprehu gatishmërinë për të kontribuar. Së bashku, Elvira dhe Eltoni vendosën ta strehojnë përkohësisht në një hotel pranë shtëpive të tyre, për t’i dhënë Parashqevisë hapësirën dhe privatësinë që meritonte.
Artistët, publiku dhe heshtja!
Ndërsa fansat shpërthyen në gëzim, shumë artistë që kishin ndarë skenën me Parashqevinë qëndruan në heshtje. Pati edhe zëra që flisnin me xhelozi. Por dashuria e publikut ishte më e fortë. Këngëtarja Rita Ndoci ishte ndër të paktat që ndau kujtime me ngrohtësi dhe krenari.
Zemra e madhe e komunitetit dhe indiferenca e disa figurave publike!
Ndërsa disa figura të njohura si Begjet Pacolli dhe Halil Kastrati shprehën publikisht dëshirën për ta ndihmuar, Elvira tregon se nuk mori asnjë përgjigje kur i kontaktoi. I vetmi që ndihmoi konkretisht dhe në heshtje ishte z. Kadri Morina, i cili ofroi mbështetje financiare për strehim në Manhattan dhe vijon të ndjekë gjendjen e saj nga afër.
Një jetë e re, një frymë e re!
Sot, Parashqevia jeton në një ambient të ngrohtë ku ka gjetur paqe dhe identitetin e saj. Ajo gatuan, qep, dëgjon muzikë dhe pret me padurim telefonatat nga djali. Ka krijuar një miqësi të ngushtë me Elvirën, mamanë dhe vajzën e saj dhe tashmë ato janë bërë si një familje.
Muzika, mision i jetës!
“Muzika është jeta e saj. Ajo nuk mund të jetojë pa të,” – thotë Elvira. Parashqevia ëndërron një recital në Shqipëri, për të falënderuar të gjithë ata që nuk e harruan. Ajo planifikon rikthimin në skenë dhe thotë se këtë herë, do të këndojë për shpirtin e publikut.
Një nënë, një grua me yll në ballë!
“Është nënë para së gjithash,” – rrëfen Elvira me emocione. “Ka një shpirt të pastër që më ka ndryshuar edhe mua. Më ka mësuar të fal, të jem më e duruar dhe më e përkushtuar ndaj atyre gjërave që kanë vërtet rëndësi në jetë.”
Elvira e përmbyll me fjalët: “Të gjithë mendojnë se isha unë që e shpëtova Parashqevinë. Por në të vërtetë, ajo po më ndryshon mua. E bekuar qoftë ajo ditë që e takova.”
Një histori që nuk është thjesht për një artiste të madhe. Është një testament i fuqisë së dashurisë njerëzore, i shpresës dhe i ringjalljes së shpirtit.
Për më shumë informacion, intervista me zonjën Elvira në vazhdim.
“Engjëlli i saj në Manhattan” – Intervistë me Elvirën, gruan që rigjeti dhe ndihmoi Parashqevi Simakun
Gazeta Dielli sjell një rrëfim të rrallë, të jashtëzakonshëm, ku zemra, ndjesia dhe dashuria ndaj një artisteje i dhanë jetë një prej historive më prekëse të komunitetit shqiptar në diasporë. Elvira Tata, shqiptarja që jeton në Manhattan, është personi që rigjeti dhe qëndron pranë Divës shqiptare – Parashqevi Simaku.
Si lindi kjo histori? Si e gjete Parashqevi Simakun?
Elvira: Gjithçka nisi kur pashë një video në Instagram nga gazetari Blendi Fevziu. Aty shfaqej një grua që i ngjante shumë Parashqevi Simakut, në një kronikë të ABC7 News. Poshtë emrit ishte shkruar “Simaku Nofle ”. Ata e quanin “homeless” dhe pyesnin nëse ishte ajo. Më erdhi shumë keq. Menjëherë mendova: nëse e gjej, do e marr në shtëpinë time. Banoj në Manhattan, dhe me këtë dëshirë në zemër dola të nesërmen dhe fillova ta kërkoj në zonën e Penn Station. Nuk më zuri shumë – sapo dola nga stacioni, e pashë, ulur buzë rrugës, me atë buzëqeshje të butë dhe të njohur. U afrova, dhe e pyeta në anglisht: “Are you Parashqevi Simaku?” Ajo u kthye dhe m’u përgjigj thjesht: “Yes.”
Si ishte takimi juaj i parë?
Elvira: Ajo ishte shumë e sjellshme, kishte një fytyrë të qeshur e të bukur. Më tha se nuk fliste shqip prej shumë vitesh dhe se po priste një avokat që do e ndihmonte të takohej me djalin e saj pas shumë vitesh. I dhashë një të kuq buzësh Dior që kisha blerë për veten, I hodha në qafë shallin tim që të ndihej ngrohtë dhe I ofrova një byrek me spinaq që e kisha bërë vetë. Ajo qeshi, e pranoi me mirënjohje dhe më tha: “Kam vite pa ngrënë byrek.”
Si reagoi komuniteti shqiptar kur ndave fotot dhe videon?
Elvira: Telefoni im nuk pushoi. Shqiptarë nga New York-u, Shqipëria, Kosova, diaspora – të gjithë telefononin, falënderonin, ofronin ndihmë. E para më telefonoi Fotini Kokeri nga Florida, duke më lutur që ta mbaja Parashqevinë me vete, ta vendosja në një hotel me shpenzimet e saj. Më tha: “Mos e lër vetëm.” Pastaj më telefonuan shumë të tjerë, përfshirë Elton Ilirjanin që kërkoi ta ndihmonte. Unë u ndjeva e përmbushur dhe vendosa ta mbaja vetë në shtëpinë time.
Si vazhdoi kujdesi juaj ndaj saj?
Elvira: Shkova tre herë atë ditë për ta marrë. Ajo më thoshte: “Do vij, kismet.” Ishte shumë e sjellshme dhe e përulur. Më pas, bashkë me Eltonin, vendosëm ta sistemojmë në një hotel pranë nesh për të pasur pak privatësi dhe qetësi. Ajo ndjeu se ishte respektuar. Ndërsa disa figura të njohura si Begjet Pacolli dhe Halil Kastrati shprehën publikisht dëshirën për ta ndihmuar, asnjëri nuk dha përgjigje kur i kontaktova. Ai që ndihmoi konkretisht dhe në heshtje ishte z. Kadri Morina, i cili ofroi mbështetje financiare për strehim në Manhattan dhe vijon të ndjekë gjendjen e saj nga afër.Mirënjohje pa fund atij, Eltonit dhe të gjithë dashamirësve të Divës që ndihmuan në llogarinë e hapur për të.
Në një moment kur një zë i artit shqiptar ndodhet në nevojë, a nuk është artistike dhe njerëzore të tregojmë zemrën, ashtu siç dikur i dhamë duartrokitjet?
Elvira: Të them të drejtën, kam ndjekur me shumë vëmendje reagimet që erdhën pasi u mësua historia prekëse e Parashqevi Simakut. Shumë artistë, brenda dhe jashtë vendit, folën me ndjenjë dhe respekt për të. Por, në të njëjtën kohë, shumë të tjerë heshtën. Disa ndoshta nga mosdija, të tjerë nga stepja, dhe ndoshta disa nga xhelozia që, për fat të keq, ka ekzistuar gjithmonë në skenën artistike.
Parashqevia nuk ishte thjesht një këngëtare. Ajo ishte një zë brilant, një ikonë që na bëri krenarë dhe na bashkoi përmes këngës. Ajo ishte idhulli i një brezi të tërë, e ftuar në çdo festival, fituese e shumë çmimeve të para. Kjo ndër vite e vendosi në një pozicion të veçantë dhe të privilegjuar, por për fat të keq, në një botë ku arti shoqërohet shpesh me konkurrencë të ashpër, ky pozicion solli edhe xhelozi e pakënaqësi.
Dhe sot, kur ajo u gjend në një moment të vështirë, shumë prej atyre që dikur ndanin skenën me të, nuk thanë asnjë fjalë. Të paktët që folën, si Rita Ndoci, treguan shpirtin e vërtetë të artit – ndjeshmërinë, dashurinë, mirënjohjen, kujtimet.
E megjithatë, Parashqevia nuk mban mëri. Ajo nuk gjykon, nuk flet keq për askënd. Zemra e saj e madhe di vetëm të falë, të kuptojë, dhe të ecë përpara me dinjitet.
Si është marrëdhënia juaj sot me Parashqevi Simakun?
Elvira: E quajmë njëra-tjetrën si motra. Ajo më thotë “engjëlli im.” Kalojmë shumë kohë bashkë – në shtëpinë e saj, në pazar, në dreka, në shëtitje. Vjen edhe në shtëpinë time, është shumë e lidhur me mamanë dhe vajzën time. Jemi bërë një familje.
Si po ndihet ajo tani në shtëpinë e saj të re?
Elvira: Është shumë më mirë. Gatuan, qep, dëgjon muzikë. Ka filluar të gjejë veten. Pret me padurim një telefonatë nga djali. Më shpreh gjithmonë falënderim: “Ti më premtove që do më shpëtoje – dhe e mbajte fjalën. Do të jem falënderuese përjetë.”
Po muzika? E ka rikthyer atë dashuri për artin?
Elvira: Ajo nuk e koncepton jetën pa art. Muzika është jeta e saj. Edhe kur ishte në rrugë, dëgjonte këngë jazz dhe këndonte nën zë. Ajo është vetë muzika.
A do rikthehet Parashqevia në skenë?
Elvira: Po, patjetër. Kjo është dëshira e saj më e madhe. Të ngjitet në skenë dhe të këndojë për popullin që e deshi dhe e priti për vite. Parashqevia ëndërron një recital në Shqipëri, për të falënderuar të gjithë ata që nuk e harruan. Ajo planifikon rikthimin në skenë dhe thotë se këtë herë, do të këndojë për shpirtin e publikut.
Çfarë ka më shumë nevojë tani?
Elvira: Ka nevojë për një ribashkim emocional me familjen, për të krijuar një qetësi që i mungoi për vite. Ka nevojë për dashuri të pastër, përkrahje të vërtetë dhe një hapësirë për të krijuar sërish këngë.
A ndan kujtime të bukura nga e kaluara e saj?
Elvira: Po, pafund. Flet me mall për kohën kur doli për herë të parë në audicion, si e përqafuan që në fillim për zërin e saj. Kujton trofetë që i kushtonte gjithmonë publikut. Ka një memorie të jashtëzakonshme dhe flet me shumë ndjenjë.
Çfarë ndikimi pati tek ty kjo përvojë me Parashqevinë?
Elvira: Më duket se më ndryshon përditë. Më bën më të butë, më tolerante, më të dashur. Më mëson të mos urrej, të mos gjykoj. Ka një shpirt të pastër ajo. Më ka mësuar të fal, të jem më e duruar dhe më e përkushtuar ndaj atyre gjërave që kanë vërtet rëndësi në jetë. Ajo më mëson edhe receta gatimi nga nëna e saj. Ndihem me fat që e kam afër dhe e quaj mike, motër. Të gjithë mendojnë se isha unë që e shpëtova dhe i ndryshova jetën Parashqevisë. Por në të vërtetë, ajo po më ndryshon mua gjithashtu. E bekuar qoftë ajo ditë që e takova.”
Faleminderit nga zemra, Elvira! Ti nuk gjete thjesht një këngëtare të humbur, por një shpirt të bukur që i kishte munguar kaq shumë publikut shqiptar. Falë dashurisë dhe përkushtimit tënd, kjo histori mori jetë.
Intervistoi për Gazetën Dielli – Dr. Iris Halili , Miami Florida
Kryetare Vatra Miami/ Founder Klubi Flas Shqip