Categories
Uncategorized

Si do te jene temperaturat gjate muajit Maj? Meteorologia tregon kthesen qe pritet te marr moti

Muaji maj nuk do të jetë tipik pranveror.

Sinoptikania Lajda Porja shprehet në programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan se temperaturat e këtij muaji do t’u përngjajnë më shumë atyre të qershorit.

Sigurisht ka ardhur momenti që t’i heqim xhupat, por xhaketat e lehta mbeten domosdoshmëri në mëngjes dhe mbrëmje.

Masat e ngrohta afrikane të cilat janë tipike për muajt e verës, janë shfaqur në maj dhe kjo ndikon në rritjen e menjëhershme të temperaturave. Porja tha se do të ketë edhe vranësira e reshje të pakta e të izoluara.

Lajda Porja: Më në fund ndryshoi situata, edhe pse erdhi e menjëhershme, një shpjegim për të gjithë ata që na dëgjojnë, mëngjeset dhe nata është ende e freskët.

Edhe pse mesdita ka një diferencë shumë të madhe të temperaturës minimale dhe maksimale dhe kjo është pak problem nga ana shëndetësore që duhet të kemi kujdes sepse nëse dalim herët në mëngjes ose në mbrëmje vonë, na duhet një xhaketë e lehtë, ndërkohë mesdita ka temperatura shumë të larta.

Sot presim Tirana 28 gradë, pritet temperatura 30 gradë në rang territori që do të jetë në qarkun e Beratit, po ashtu Fieri mund të regjistrojë këtë temperaturë 30 apo lehtësisht mbi 30. Ajo e cila është pak e çuditshme është që këto temperatura të cilat janë tipike qershori, nuk ka lidhje fare me majin, janë shumë më të larta, vijnë pikërisht nga masat ajrore të nxehta dhe të thata me origjinë afrikane.

Këto masa ajrore ne zakonisht i kemi parë në korrik, gusht, në raste të veçanta edhe në qershor, ama në maj janë shumë të rralla që ato të vizitojnë brigjet mesdhetare dhe Ballkanin. Jo vetëm sot, por gjatë kësaj fundjave janë kushte pothuajse ideale për të frekuentuar bregdetin sepse e shtuna dhe e diela kanë një ndryshim shumë të vogël në disa zona, ka një rënie të lehtë 1 gradë, por që mbeten sërish mjaft të larta dhe mbeten te vlera 29-30 gradë.

Moti është i kthjellët, vranësirat nuk janë problematike, vranësira të lehta dhe kalimtare. Dita e premte sjell grumbullim të vranësirave në dy skajet veri-verilindje duke sjellë konveksion dhe rrebeshe shumë afatshkurtra në disa zona. Pasdite ka kryesisht Puka, Bajram Curri, Peshkopia, Librazhdi që mund të kenë rrebeshe afatshkurtra që janë vetëm për disa minuta dhe pastaj del dielli.

Për shkak të këtyre kushteve nuk përjashtohen rrebeshet apo breshëri. Kjo mund të ndodhë rreth datave 10-17 gjatë të cilave moti do të jetë i paqëndrueshëm, por jo vazhdimisht me reshje.

Lajda Porja: Deri nga data 9-10 moti është kryesisht i qëndrueshëm, ka më shumë diell, më pak vranësira, shira të izoluar, më pas nga data 10-16, 17 është një interval kohor i cili fut një paqëndrueshmëri të motit duke sjellë prezencën e reshjeve. Megjithatë, nuk është se do të kemi ditë me shi sikundër i kemi përjetuar gjatë gjithë prillit që kemi pasur gati 5-6 ditë të njëpasnjëshme me reshje.

Sinoptikania thotë se mesi i muajit do të sjellë normalizim temperaturash, por mund të priten edhe fenomene ekstreme. Këto të fundit janë të vështira të parashikohen shumë ditë përpara, ndërsa paralajmëron se vera pritet të jetë e nxehtë, kryesisht në brigjet mesdhetare. “Ditë të nxehta na presin!”, përmbyll Porja.