Një incident i pazakontë ka ndodhur në një lokal në lagjen “Pavarësia 2” në Vlorë, ku një konflikt i nisur për një shishe ujë më shumë ka përfunduar me dhunë fizike, pezullime nga detyra dhe ndërhyrje të policisë.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, kur Nënkomisari Ardian Isufi, ish-shef i Rrugores së Vlorës dhe aktualisht oficer i Policisë Kufitare në Dibër, ndodhej jashtë orarit të shërbimit në shoqërinë e shtetasit Leart Bimo, një 57-vjeçar me precedent penal.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, Isufi dhe Leart Bimo kanë dhunuar një 18-vjeçar, kamerier në lokal, për shkak të një porosie që përmbante një shishe ujë më tepër.
Konflikti ka marrë përmasa më të mëdha kur në mbrojtje të kamerierit ka ndërhyrë pronari i lokalit, shtetasi Vasil Bedinaj, 53 vjeç, një emër i njohur në Vlorë si pronar i “Regina Group”.
Ai ka goditur oficerin e policisë, duke e lënë të plagosur dhe të shtruar në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Pas incidentit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Ardian Isufit dhe ka nisur ndaj tij procedurë disiplinore të rëndë për sjellje që diskreditojnë figurën e Policisë së Shtetit.
Ngjarja po hetohet nga Prokuroria dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa Policia e Shtetit deklaron se mbetet e vendosur të reagojë ndaj çdo veprimi që cënon imazhin e saj dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo abuzim apo sjellje të papërshtatshme nga ana e punonjësve të saj.