Reshjet e shiut që shoqëruan paraditen e kësaj të marte do të spostohen në drejtim të zonave malore, ku sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet do të vijojnë edhe gjatë së mërkurës.
“Masat ajrore të paqëndrueshme, që përfshinë vendin tonë gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme, gradualisht do të spostohen duke u pozicionuar përgjatë relieveve malore ditën e sotme, ku do të pasohen nga reshje shiu deri në orët e vona të mbrëmjes.
Ditën e nesërme, vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme.
Moti parashikohet të jetë me alternime kthjellimesh dhe vranësira, të cilat do të jenë kryesisht të përqendruara përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe zonave malore, aty ku edhe do të pasohen nga reshje shiu me intensitet të ulët.
E njëjta situatë meteorologjike duket se do të mbetet edhe për ditën e fundit të muajit korrik, kur moti pritet të nisë i kthjellët, por zhvillimet e mesditës do të jenë prezente kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe zonave malore.
Vranësirat aty do të pasohen nga reshje shiu, por me intensitet të ulët,” tregon sinoptikania Besa Sherollari.
Në fundjavë moti parashikohet të jetë i kthjellët dhe temperaturat do të pësojnë rritje deri në 37 gradë.