Categories
Uncategorized

Rikthehen reshjet në të gjithë vendin: Sinoptikania zbulon cfarë pritet 5 ditët në vijim

Dita e sotme nis me reshje të pakta, kryesisht në zonat jugore, ndërsa qendra dhe veriu preken më pak.

Nga mesdita e në vijim, kushtet e motit përkeqësohen ndjeshëm dhe reshjet përfshijnë të gjithë territorin shqiptar.

Në pjesën më të madhe të vendit do të ketë shi, ndërsa në zonat malore reshjet shfaqen në formë dëbore.

Përkeqësimi i motit vijon gjatë orëve të natës dhe në pjesën e parë të mëngjesit të nesërm.

Nga mesdita e së mërkurës pritet përmirësim gradual i kushteve atmosferike, me reshje të izoluara dhe në sasi të pakta, kryesisht në jug dhe qendër.

E enjtja dhe e premtja mbeten relativisht të qeta, ndërsa fundjava sjell mot stabël, me kthjellime dhe vranësira kalimtare, por temperatura shumë të ulëta.

Sa i përket vlerave termike, sot maksimalja arrin rreth 16°C.

Nesër në mëngjes shënohet një rritje e lehtë e temperaturave në zonat perëndimore, por në zonat malore minimumi zbret në -1°C. Mesdita e nesërme sjell rënie të lehtë të temperaturave, me maksimum rreth 15°C.

Mëngjesi i së enjtes sjell rënie të ndjeshme të temperaturave, me vlera minimale deri në -3°C në verilindje dhe juglindje, ndërsa maksimumet mbeten rreth 15°C. Nga e premtja dhe gjatë fundjavës, të ftohtit intensifikohet. Temperaturat minimale zbresin deri në -4°C në zonat e thella malore, ndërsa mesditat nuk ngjiten më shumë se 12–13°C të shtunën dhe 10–11°C të dielën.

Pas fundjavës, priten disa ditë shumë të ftohta, me temperatura që në zonat malore zbresin 7–8 gradë nën zero. Megjithatë, moti mbetet i qëndrueshëm, pa reshje, por me të ftohtë të theksuar.