Categories
Uncategorized

Temperaturat do te bien deri ne -2 grade, ftohet moti. Ja kur pritet te vij i ftohti ne vendin tone

Pas “Ditës së Verës” rikthehen reshjet dhe dëbora në vend, rënie e ndjeshme temperaturash

Pas ditëve të ngrohta pranverore, moti në vend pritet të ndryshojë ndjeshëm gjatë pesë ditëve në vijim.

Duke nisur nga dita e martë, në territorin shqiptar rikthehen reshjet e shiut dhe temperaturat më të ulëta, ndërsa në zonat malore do të shfaqen edhe reshje dëbore.

Sipas parashikimit, sonte në mbrëmje dhe gjatë natës do të shtohen vranësirat në të gjithë vendin.

Pjesa e parë e ditës së martë pritet të jetë kryesisht pa reshje, me përjashtim të disa zonave të izoluara.

Ndërsa në pjesën e dytë të ditës reshjet e shiut do të përfshijnë më së shumti gjysmën lindore të territorit, ndërsa në bregdet priten vetëm momente të shkurtra me pika shiu.

Nga e mërkura deri të enjten parashikohen reshje më të shpeshta, herë pas here me intensitet mesatar.

Megjithatë, sipas meteorologëve nuk pritet situatë problematike apo rrezik për përmbytje, pasi reshjet do të jenë kryesisht të shpërndara dhe me ndërprerje të shkurtra.

Dëbora do të jetë prezente në zonat malore.

Fillimisht të martën ajo do të shfaqet në lartësitë mbi 1200–1300 metra, kryesisht në veri dhe verilindje.

Nga e mërkura dhe e enjtja niveli i dëborës zbret deri në rreth 700 metra mbi nivelin e detit, ndërsa në zonat malore të lindjes pritet një shtresë prej 15 deri në 20 centimetra.

Të premten reshjet e dëborës pritet të jenë më të dukshme, duke shtuar deri në 30–35 centimetra dëborë në zonat malore.

Përmirësimi i kushteve të motit pritet të nisë vonë të premten në mbrëmje dhe gjatë natës, ndërsa fundjava do të sjellë kthjellime dhe mot më të qëndrueshëm, me vranësira të lehta dhe pa reshje.

Edhe temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme.

Nëse sot maksimumet arrijnë deri në 22–23°C, gjatë ditës së martë ato pritet të zbresin në rreth 19°C.

Në vijim, e mërkura dhe e enjtja do të sjellin rënie të mëtejshme të temperaturave, duke e bërë të enjten një ditë tipike dimri, me temperatura minimale rreth 0 deri në 1°C në zonat malore dhe maksimumet që vështirë se do të kalojnë 15°C.

Mëngjesi i së premtes pritet të jetë edhe më i ftohtë, me temperatura deri në –2°C në zonat malore, ndërsa në ultësirë dhe bregdet ato do të zbresin rreth 4–5°C. Nga fundjava pritet një rritje e lehtë e temperaturave dhe stabilizim i motit.

Sipas parashikimeve, pjesa e dytë e muajit mars do të karakterizohet nga mot i paqëndrueshëm, me periudha të shkurtra stabiliteti, por edhe me rikthime të reshjeve të shiut dhe dëborës, sidomos në zonat malore.