Vjeshta ka trokitur në qytetin e Shkodrës me ngjyrat e arta të saj, duke i dhënë një pamje të hijshme rrugëve e rrugicave. Gjethet e rëna në sheshin para bashkisë apo në pedonalen e Molos mbizotërojnë një tablo natyrale për piktorët apo për të apasionuarit pas fotografisë.
Por duket se dikush po ja ‘vje dh’ pak nga pak ngjyrat e arta rrugëve të qytetit.
Muhamet Halaj, vetëm 30 vjeç prej 7 muajsh punon si mirëmbajtës i gjelbërimit në Shkodër.
Çdo ditë nga ora 7:00 në mëngjes Muhameti kujdeset që pedonalja të jetë e pastër.
“Çdo ditë për mua është një forcë e madhe”, shprehet ai.
Të gjithë e njohin Muhametin, teksa bën punën e tij, qytetarët e përshëndesin. Por përdoruesit e biçikletave krijon edhe probleme.
“Gjysma e banorëve më thonë të lumshin duart, gjysma i bien ziles së biçikletës, ma hap rrugën, ku të shkoj unë më parë”, tregon i riu,
Ndonëse paga nuk është shumë e kënaqshme, Muhameti e pëlqen punën që bën. Kur e pyesim nëse ka ndërmend të largohet nga vendlindja, përgjigjen e ka të prerë.
“Jo, kurrë! Më mirë 5 lekë në vendin tim sesa asnjë lek në vend të huaj. Në mendjen time se kanë as të tjerët sepse që 14 vjeç kam filluar të punoj, jo kamarjer, jo roje jo gjithçka”, thotë ai.
Çdo ditë, në shi , në borë e në furtunë, Muhameti është aty për të bërë detyrën e tij me thjeshtësi, pa menduar aspak se çfarë thonë njerëzit. Ky i ri ndonëse po “i merr” ngjyrat vjeshtës, nga ana tjetër reflekton shumë qytetari./euronews