Elegante, sportive, me flokët e kapura pas kohe dhe pothuajse fare pa truk. Është në kafenenë pranë punës dhe i duhet rreth e rrotull të përshëndesë shumë njerëz. Por kjo s’përbën ndonjë problem. Të paktën asnjëri syresh nuk është ai kureshtari që i ngul sytë me ngulm, me idenë për ta fiksuar në kujtesë duke thënë me vete: Ah, kjo qenka gruaja e Ndriçim Xhepës?!
Prej gati 5 vitesh është Bardha Xhepa. Ndihet mirë me mbiemrin e ri, e për më tepër si pjesëtare e familjes së vogël me tre vetë, që është shndërruar sa hap e mbyll sytë në qendrën e universit të saj. Tek fillon të rrëfejë për familjen e vet, duket e çliruar dhe pa kurrfarë kompleksi.
E madje edhe miqësore. Nëse i bën të ditur se kishte menduar ndryshe për të, se e kishte përfytyruar të egër, të pakomunikueshme dhe të distancuar, nuk tregon aspak habi. Në të vërtetë, e pranon edhe vetë: ky është impakti i parë që krijon me këdo që takohet rishtas.
E po aq mirë e di, se ky është vetëm një fillim që kapërcehet menjëherë. I ka ndodhur gjithnjë kështu. Kohë më parë, kur sapo kishte kapërcyer pragun e universitetit, e ndjeu se bashkëstudentët e shihnin disi vëngër. Ama, zgjati fare pak.
S’kaluan veç disa javë, kur dëgjoi shoqet e klasës t’i thoshin: në fillim, menduan se si do ta bëjmë me këtë njeri kaq të ftohtë për katër vite në të njëjtën klasë. Akulli ishte thyer sakaq. Kurse historia është përsëritur në sa e sa fillime të reja.
Bardha Xhepa, në të vërtetë është miqësore, e përkushtuar në marrëdhënie, e hapur, sigurisht nëse edhe ajo vetë preferon të krijojë një marrëdhënie miqësore. Por, le të qëndrojmë te historia e saj me aktorin më tërheqës dhe një nga profesionistët më të spikatur të teatrit dhe filmit shqiptaR. Si u njohën? Si funksionon marrëdhënia? Çfarë do të thotë të jetosh me një yll kinemaje. Dhe Bardha rrëfen…
Si jeni njohur me Çim Xhepën?
Njohja jonë është e hershme, qysh në vitet kur unë isha gjimnaziste. Ishte një njohje në distancë në të vërtetë. Përshëndeteshim në rrugë, sa herë përballeshim.
Gjimnaziste, padyshim duhet të keni qenë e dashuruar, edhe pse së largu me aktorin aq shumë të suksesshëm qysh prej fillimeve të tij profesionale.
Jo, nuk mund ta them një gjë e tillë. Ishte një lloj fr ike që nuk më lejonte të bija në dashuri qoftë edhe virtualisht me të. Ajo çfarë mbizotëronte tek unë ishte një përfytyrim aspak miklues: thosha me vete se të lidhesh me një njeri të tillë është e rrez ikshme.
Ishte, sipas meje, një mjedis i rrez ikshëm, mjedisi i tij, siç janë mjediset e artit, i adhuruar nga qindra sy vajzash. Kur e shihja në rrugë, e përshëndesja dhe merrja një përshëndetje. Ajo që më shkonte ndërmend ishte ideja: “S’është i imi”. Kaq. Dhe nuk më mundonte më shumë mendimi.
Jeni natyrë posesive?
Gjimnaziste, them se po, kam qenë e tillë. Por jo më tani. Mosha më ka bërë më të ekuilibruar.
Le të kthehemi te njohja me Çimin, si vijoi ajo?
Më kujtohet, ka qenë viti aq i vështirë `97. Unë kisha vendosur të largohesha nga Shqipëria. I takon asaj kohe një takim i radhës, në rrugë si gjithnjë, u përshëndetëm. Dhe kaq, pastaj…
Do t’ju ndërpres. Kujtoni detaje të tilla, përshëndetje të rastësishme në rrugë. Kjo më bën të mendoj se nuk keni qenë shpërfillëse sa thoni.
Nuk thashë shpërfillëse. S’mund të isha shpërfillëse. Bëhej fjalë për një personazh shumë të adhuruar nga të gjithë, aq tërheqës. Sidoqoftë, gjithçka që më kujtohet mendoj se ishte diçka që kishte mbetur brenda vetes pa u zhvilluar. Nëse nuk do të ishim bërë një familje me Çimin, të gjitha këto detaje që po ju tregoj do të më ishin fshirë. Ishin ngjarjet e mëpasme që i nxorën sërish në sipërfaqe.
Po pres vazhdimin e historisë…
Siç thashë, unë u largova në vitin 1997, dhe kthehesha në Shqipëri për vizita të shkurtra. Dhe në një nga këto vizita ndodhi takimi im dhe njohja më e thellë me Çimin.
Rastësi?
Jo krejt e tillë. Unë kisha mikeshë një vajzë tezeje të Çimit. E në një nga këto vizita të miat në Shqipëri, ishte viti 2004, tek pija një kafe me të te “Piazza”, kalon Çimi. Shkëmbyem përshëndetjet e zakonshme. Duhet të ketë qenë kjo përshëndetje, që i provokoi idenë mikeshës sime dhe kushërirës së Çimit, që ne të njiheshim më shumë.
S’kisha asnjë arsye për të kundërshtuar. Ndaj dhe u ndodhëm në një darkë të përbashkët. Ishte darka e njohjes sonë të vërtetë, e cila u pasua me shkëmbimin e numrave të telefonit dhe takime të mëpasme.
Ju e latë Italinë? U rikthyet përfundimisht?
Ende jo. Fillimi i lidhjes sonë ishte një marrëdhënie në distancë. Por po bëhej gjithnjë e më e fortë dëshira për të qëndruar së bashku. Shumë shpejt fillova të mendoj rikthimin tim.
Arsyeja ishte Çimi?
Një pjesë e fortë e arsyes, edhe pse në të vërtetë rikthimin tim në Tiranë kisha filluar ta mendoja, pavarësisht njohjes sonë./Burimi “Artistët shqiptarë”