Ishte prova gjenerale në skenën e Teatrit të Korçës, dhe fill pas kësaj do të vinte premiera. Me lojën e tij mjeshtërore deri në gjysmën e shfaqjes i fali publikut mjaft të qeshura. Por, rreth orës 19:30, është rrëzuar në mes të skenës.
Të gjithë kanë kujtuar se ishte pjesë e rolit të tij, një improvizim i çastit. Por Aleko Prodani ka rënë për të mos u ngritur më.
Nga Leonard Veizi
2 maji që mori Aleko Prodanin, ishte disi i shkëputur. Por ka qenë fort i trishtuar fillimi i vitit 2006 për botën e artit. Ata që e mbajnë mend, mund të kujtojnë fare mirë se u deshën vetëm 45 ditë për të pasur 7 vd ekje të njëpasnjëshme.
Të gjithë njerëz të një race tjetër, asaj të forcës së krijimit, të ndjenjës së saj. Janar dhe shkurt, asgjë nuk mund të thoshte më shumë se kaq, dhe pastaj homazhe e kortezhe të përmortshme. Ishte një ndjesi e errët, e mbushur me një emocion të dhimbshëm, pastaj krejt i zbrazët.
Ndërsa “lajmëtarja e vd ekjeve” nxitonte nëpër rrugët e akullta për të sjellë të vetmin lajm të zi. Kështu u ndanë nga jeta korifenjtë e artit dhe të letrave shqipe Niko Nikolla, Ibrahim Rugova, Vath Koreshi, Ibrahim Kodra, Dionis Bubani, Frederik Rreshpja dhe Kel Kodeli.
Vargani i vd ekjeve të paparalajmëruara nisi që në fillim të janarit të ftohtë për të mbërritur po aq i egër e inatçor edhe në pranverën e lagësht të majit.
Të larguar njëri pas tjetrit, ata lanë një boshllëk që nuk ishte fort e lehtë për t’u mbushur nga pasardhësit. Ishin pikërisht ata aktorë, shkrimtarë piktorë, apo thënë shkurt njerëz të artit, të cilët për vite e vite pune kishin krijuar rreth vetes galerinë e çmuar të karaktereve, gjë që i çonte drejt përjetësisë. Prandaj ngushëllimi është sërish aty, në pjesën më të padukshme të tyre, tek ajo që jeton gjithmonë.