Këtë muaj moti ka qenë shumë i paqëndrueshëm. Herë me shi e borë, herë me acar, e herë ngrohtë. Ndërsa po përjetojmë temperatura shumë të ulëta, meteorologia Tanja Porja ka njoftuar se duke filluar nga e premtja, temperaturat do të rriten, por do të ketë reshje.
“Sot në zonat malore temperaturat kanë arritur në -6 gradë celsius, por edhe në zonat e ulëta temperaturat kanë shënuar -1 deri në 0 celsius, ndërsa në zonat bregdetare termometri ka shënuar nga 1 deri në 3 gradë. Kthjellimet do të jenë deri ditën e premte, ku vranësirat do të bëhen më të dukshme, ndërsa në veri do të ketë reshje dëbore dhe rritje temperaturash.
Sipas meteorologes, nga sot deri të premten ka një ndryshim edhe të kushteve dhe temperaturave.
“Në fundjavë do të ketë reshje shiu në të gjithë territorin por jo në sasi të mëdha, ndërsa të shtunë dhe të diel temperaturat mund të arrijnë deri në 20 gradë”, tha Porja për A2CNN.
Pas Krishtlindjeve, moti do të jetë shumë i paqendrueshëm.
“Pas Krishtlindjeve ndryshon gjithçka, kemi një mot të paqendrueshëm deri në fund të vitit, por temperaturat do të jenë të larta, po ashtu do të ketë prani të reshjeve çdo ditë. Nata e ndërrimit të viteve do të jetë pa reshje. Ajo që vlen të theksohet se jo vetëm deri në datën 31 dhjetor kemi këtë mot të ngrohtë, por edhe java e parë e janarit do të jetë pak a shumë me të njëjtat vlera termike”, tha Porja.