Thonë se sytë janë pasqyra e shpirtit, por edhe e shëndetit tonë. A e dini se ato mund të dëmtohen nga ajri i kondicionerit?
Tharja, djegia, lotët janë vetëm disa nga shqetësimet që ajri i kondicionuar i shkakton syve tanë.
Kanalet e kondicionerit kanë baktere dhe myk
Ajri i kondicionerit dëmton sytë prej faktit se kanalet e kondicionerit përmbajnë baktere, myk dhe viruse, të cilat shkaktojnë lotim, djegie, lodhje të syve, etj.
Kondicioneri redukton lagështinë e syve
Kondicioneri e than ajrin e ambientit. Ndaj, kanali i lotit ndikohet menjëherë nga kjo pasojë duke penguar syrin të ruajë nivelin e duhur të lagështisë. Pasojat? Kruajtje, thatësi, skuqje të syve dhe në disa raste edhe dhimbje koke.
Ndjeni se keni sy të thatë? Mund të ndodhë nga ekspozimi i tepërt ndaj ekraneve, problemet që lidhen me infeksionet virale dhe bakteriale. Por a e dini se këto çrregullime të shikimit kanë si një nga shkaqet kryesore ajrin e kondicionuar?
Ajri tepër i ftohtë për shkak të përdorimit të kondicionerëve është një nga shkaqet kryesore të tharjes së syve.
Si t’i parandaloni problemet me sytë?
Mjekët thonë se është më mirë të parandalosh se të kurosh një sëmundje. Por, si ndodh në rastin e dëmtimit të syve nga ajri i kondicionerit?
Distanca bën diferencën. Nuk mund të heqim dorë nga ajri i kondicionuar? Epo, le të qëndrojmë larg pajisjes duke shmangur ekspozimin e zonave të ndjeshme si sytë.
Shmangni vendosjen e temperaturave tepër të ulëta. Një temperaturë e ekuilibruar mes ambientit të brendshëm ku është ndezur kondicioneri dhe ambientit jashtë është gjithçka ju duhet nëse nuk doni të dëmtoni sytë, citon Anabel.
Pastroni kanalet dhe filtrat e kondicionerit. Përmes teknikëve profesionistë ose edhe ju vetë mund të pastroni herë pas here filtrat dhe kanalet e kondicionerit. Me disa truke të vogla, por të dobishme ju thithni ajër komplet të pastër dhe të ri! /Telegrafi/