Mjekja nutricioniste në Spitalin Amerikan, Albana Daka shpjegon regjimin ushqimor që duhet të ndjekin gratë shtatzëna.
Nutricionistja tha se të ushqyerit në parametrat e duhur gjatë shtatzanisë janë thelbësore për zhvillimin normal të fëmijës si dhe për parandalimin e patologjive siç mund të jetë diabeti gestacional, që vjen si rezultat i tejkalimit të parametrave të kalorive.
“Kaloritë shtesë i rekomandojmë në fund të tremujorit të dytë të shtatzanisë por dhe këto kalori shtesë janë në një sasi të vogël pasi nuk duhet të hajë dyfishin e asaj që ka ngrënë. Ka organizma të ndryshëm, mund të kemi një femër që e fillon shtatzaninë me një peshë normale, nënpeshë dhe mbipeshë.
Kështu që në bazë të gjendjes së organizmit duhet të bëjmë dhe regjimin ushqimor. Nëse kemi një femër me peshë normale i rekomandohet të hajë normalisht deri në mes të tremujorit të dytë siç ka ngrënë me të njëjtat sasi vaktesh.
Duhet të jenë vakte në kushte shtëpie apo të sigurta sepse në shtatzani ne i orientojmë që perimet dhe frutat kur hahen në gjendje siç janë duhet të lahen mirë. Sepse femrat gjatë kësaj kohe mund të marrin infeksione bakteriale apo parazitare që mund të ndikojnë tek zhvillimi i fëmijës.
Mos të hanë sallata krudo nëpër lokale pasi jo në të githa rastet është larë dhe sterilizuar në mënyrë korrekte. Nuk duhet të hanë produkte të detit krudo, të mos konsumojnë peshk të madh sepse ka sasi të lartë mërkuri.
Nënat nuk duhet ta evitojnë peshkun sepse përmban proteinat më të mira por jo peshqit e mëdhenj, salmonin dhe tonin jo më shumë se njëherë në javë por peshqit e vegjël sardelen dhe merlucin që të jenë të gatuara dhe jo në formatin e tyre krudo.
Produktet shtazore dhe të detit krudo duhet të eliminohen nga regjimi ushqimor i tyre dhe të kenë parasysh se kur hanë frutat dhe perimet e paprocesuara, duhet të jenë të sigurta të lara mirë dhe të desinfektuara për të parandaluar sëmundjet parazitare dhe bakteriale që shkaktojnë probleme tek fëmijët.”, u shpreh mjekja.
Çfarë nuk duhet të mungojë në regjimin ushqimor të grave shtatzëna?
“Perimet dhe frutat të cilat janë të stinës. Nëse marrim shalqi tani apo luleshtrydhe nuk do të marrin ato vlera që kanë kur janë në sezonin e vet.
Duhet të merren drithërat në formën e tyre integrale që kanë përqindje shumë të mirë proteinash sepse sa më të bardhë të jenë aq më shumë karbohidrate kanë dhe aq më pak proteina.”, u shpreh Daka.
Përsa i përket periudhës së laktacionit, mjekja u shpreh se regjimi ushqimor duhet të jetë i ngjashëm me atë që nëna ndjek gjatë tremujorit të fundit.
“Sa i përket kënvështrimit të shtesës ushqimore duhet të jetë nga 120-220 kalori dhe mund të shkojë nga një tost në një lëng frutash ose nga dy snack apo tre kur nëna i jep fëmijës gji.
Regjimi ushqimor është shumë i rëndësishëm për fëmijën dhe sistemin e vet imunitar si në tre mujorin e fundit dhe në laktacion.
Ushqyerja me gji deri në fund të 6 mujorit të parë është shumë e rëndësishme dhe literatura thotë se 1 mijë ditët e para do të na tregojnë se do të kemi një fëmijë të shëndetshëm apo do të fillojnë sëmundje që në mosha të reja.“, shtoi më tej Daka.