Artisti i madh, Roland Trebicka, lindi në Korçë më 17 janar 1947 dhe u nda nga jeta si sot 9 vite më parë.
Trebicka kreu shkollën e mesme të përgjithshme “Raqi Qirinxhi” në vendlindje.
Kur ishte i ri punoi si aktor në Estradën profesioniste te SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore) ose shkurt “Estrada e Ushtarit”. Gjatë këtyre viteve në këtë trupë profesioniste debutuan edhe aktore te tjere te cilet me vone do te beheshin te famshem ne fushen e humorit skenik dhe televiziv si Aleko Prodani, Koco Devole, Zef Deda, Sejfulla Myftari (Cekja), Mehdi Maljak, Behar Mera etj.
Në vitin 1971 u bë pjesë e Teatrit Kombëtar (i njohur atëherë si Teatri popullor). Punoi në Teatrin Kombëtar deri më 1999. Pas një përvoje tri vjeçare me kompaninë “Publimedia”, u rikthye në Teatrin Kombëtar.
Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë Pallati 176. Mjeshtria e tij në këtë rol ndikoi fort që komedia të thyejë të gjitha rekordet e mëparshme të shikueshmërisë.
Edhe sot, me 500 shfaqje në shtatë vjet, me dhjetra transmetime TV dhe dhjetra mijë kopje videokasetash të shitura, “Jovan Bregu” është figura më popullore e skenës shqiptare, batutat e të cilit prej kohësh janë bërë pjesë e folklorit dhe zhargonit të sotëm. Por rolet e Trebickës në teatër janë të shumtë. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori” (“Revizori”)…. tek “Një burrë me trandafil”.
Në vitin 2002, për rolin e Rojës tek “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kantidat për Çmimin “Aktori më i Mirë Mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, në Kajro.
Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Ishte kjo përvojë që shënoi kursin që do të merrte më vonë jeta e djaloshit korçar. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden Ëndërr për një karrige (Vaska) dhe Koncert në vitin 1936 (Nesti).
Në vitin 2011 u sëmur rëndë nga një sëmundje në mushëri që e detyroi të rrijë larg skenës rreth dy vjet.
Është nderuar me titullin Artist i merituar dhe Qytetar nderi i Korçës. U nda nga jeta më 22 mars 2013.