Ish-deputetja demokrate Rudina Hajdari shpreson që dorëheqja e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD të mos jetë një hile që ky moment më pas të përdoret për interesa personale nga një grupim apo individ, duke nënkuptuar Sali Berishën.
Në një intervistë televizive mbrëmjen e djeshme, Hajdari thotë se kriza në Partinë Demokratike është një moment kyç për ringritjen dhe reformimin e saj. “E prisja, Basha nuk kishte shpëtim. Çfarëdo që të bënte nuk do arrinte të shpëtonte.
Vendimi i zotit Basha uroj të mos jetë një hile e radhës siç ndodh shpesh brenda PD apo edhe partitë e tjera. Këtë radhë nuk do ketë shpëtim”, tha ajo.
Hajdari shtoi se është e gatshme të kthehet nga SHBA dhe t’i bashkohet ekipit për reformimin e PD-së, por ajo thekson se nuk pranon të kontribuojë nëse bëhet fjalë që në krye të partisë të rikthehet Sali Berisha.
“Jam gati të bëhem pjesë e ekipit dhe për t’u ulur me atë ekip që do të reformojë PD dhe ta ngremë në lartësinë e duhur për të ardhur nesër në pushtet. Nuk e shoh zgjidhjen me një lidership të vjetër”, theksoi Hajdari.
Ish-deputetja e PD shtoi se ish-kryeministri duhet të tërhiqet nga kandidimi në mënyrë që të mos e përdorë më partinë për interesat e tij personale.
Ajo theksoi se Berisha duhet t’i lërë mundësinë figurave të reja, pasi PD nuk mund të vijë në pushtet me një ofertë të vjetër.“Berisha duhet të tërhiqet nga kandidimi për kryetar.
Këtë e them për disa arsye: ka gjithë këto vite në atë parti, ka marrë ç’a kishte, nuk i duhet më ardhje në krye të PD për t’i shërbyer vetes së tij, familjes apo një grupi të vogël.
Kandidimi i tij nuk jep garanton kushte të barabarta për kandidatët e tjerë. Nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme brenda PD-së me zotin Berisha.
Mbështetja e tij është e madhe. Por, ajo që vihet në pikëpyetje është fakti se PD nuk do vijë në pushtet me një ofertë të vjetër”, deklaroi Hajdari.