Po, është e mundur të përgatitet një tortë vetëm me tre përbërës: vezë, djathë dhe çokollatë të bardhë. Pa miell e maja. Le ta provojmë së bashku.
Përbërësit: 100 gr djathë kremoz i ëmbël, 120 gr çokollatë e bardhë, 3 vezë.
Përgatitja: Ndezim furrën në 170 gradë.
Marrim vezët në temperaturën e ambientit dhe ndajmë të verdhat nga të bardhat.
I vendosim të bardhat në frigorifer. Shkrijmë çokollatën në banjëmari ose mikrovalë për disa sekonda. Ndërkohë marrim të bardhat e vezëve dhe i rrahim marengë. Në një enë shtojmë çokollatën e shkrirë dhe kremin e djathit duke i përzier mirë.
Tani mund të shtojmë edhe të verdhat (të cilat nuk i rrahim) duke i përzier me një spatul.
Së fundi shtojmë të bardhat e vezëve të rrahura marengë duke i përzier me shumë kujdes. E hedhim masën në një formë për torta me diametër 22-24 cm.
E vendosim tortën në furrë dhe e mbushim tavën që ka vetë furra me ujë në mënyrë që të krijohet avull.
E pjekim për 15 minuta në 170 gradë, më pas e ulim temperaturën në 160 gradë edhe për 15 minuta të tjera. Më pas e fikim furrën dhe e lëmë tortën brenda edhe për 15 minuta të tjera. Tashmë ëmbëlsira është gati për t’u servirur në tryezë.