Categories
Uncategorized

Mjekja Nevila Rexhaj tregon se si te ruhemi nga semundjet tumorale

Sëmundjet tumorale janë sot një ndër problemet madhore të vendit tonë. Gjithnjë e më shumë popullata jonë po preket prej këtyre sëmundjeve.

Fakti i mosdiagnostikimit të këtyre sëmundjeve në stade të hershme ka bërë që vdekshmëria në lidhje më të të jetë tepër e lartë.

Megjithatë, në retrospektivë me vitet e kaluara, sipas mjekes onkologe në Poliklinikën e Specialiteteve numër 3 në Tiranë, Nevila Rexhaj, ka pasur një sensibilizim dhe ndërgjegjësim të popullatës përsa i takon kontrollit dhe rrezikshmërisë që paraqesin sëmundje të tilla.

Onkologia Rexhaj pohon për gazetën “Shëndet Plus” se popullata jonë ende nuk është në nivele të kënaqshme përsa i takon sensibilizimit.

Sipas saj, ka ende shumë punë për të bërë, në këtë pjesë edhe nga media e cila luan rol kryesor në ndërgjegjësimin e popullatës.

Nevila Rexhaj (1)Cila është situata e përgjithshme e sëmundjeve kancerogjene në Shqipëri?

Nuk ka statistika të sakta në rang kombëtar përsa i takon sëmundjeve kancerogjene në Shqipëri.

Megjithatë, kanceri zë vendin e dytë përsa i përket vdekshmërisë, pas sëmundjeve kardiovaskulare jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.

Në radhë të parë, ajo që vihet re, është shtimi i numrit të pacientëve të diagnostikuar me kancer çdo vit dhe e dyta, e cila është edhe më shqetësuesja, është ulja e moshës së personave që preken nga kanceri.

Gjithnjë e më shumë të rinjtë po riskohen prej kancerit. Nëse para një dekade kanceri i gjirit tek moshat 20-vjeçare pothuajse nuk ekzistonte, vitet e fundit kemi hasur gjatë punës sonë kancer gjiri tek moshat nën 20 vjeç. Ka një tendencë në rritje e sëmundjeve tumorale.

Cilat janë sëmundjet tumoriale me incidencë më të lartë?

Kjo varion nga gjinia, jo të dyja gjinitë preken njësoj prej sëmundjeve tumorale ose kancerogjene. Përsa i takon femrave, kanceri më i shpeshtë është ai i gjirit, ndërsa vdekshmëri më të lartë ka kanceri në qafën e mitrës.

Përsa i takon meshkujve, ndonëse nuk ka të dhëna të sakta, me rastet që ne ndeshemi gjatë praktikave të përditshme dy kanceret më të shpeshtë janë ai i mushkërisë dhe ai i prostatës.

Ndërsa për nga incidenca, duhet të theksoj se në vend të parë është kanceri i lëkurës, por ky lloj kanceri nuk shkakton dhe nuk ka rrezikshmëri të lartë.

Përsa i takon vdekshmërisë, kanceri i mushkrisë ka incidencë më të lartë, duke qëndruar kështu në vendin e parë i ndjekur nga kanceri i prostatës.

doktor familjaNjerëzit me histori kanceri në familje, duhet të jenë ato që duhet të jenë më të rregullt përsa i takon kontrolleve të tilla?

Pa diskutim që po. Një ndër faktorët e rrezikut që sjell krijimin e kancerit të gjirit, është faktori gjenetik.

Në qoftë se një femër ka histori kanceri në familje, pra ka një nënë, motër, kushërira të gradës së parë ose të dytë të cilat kanë qenë të prekura nga kanceri i gjirit, sigurisht rreziku është më i lartë sesa tek femrat të cilat nuk kanë histori të tilla.

Këto femra duhet të tregohen më të kujdesshme në këtë pjesë. Edhe në rastet kur nuk kanë prekur ndonjë gjëndër në gji, këto femra duhet të konsultohen për kontrolle periodike, pra duhet të jenë më të vëmendshme, sepse kanë një faktor rreziku prezent.

Në të tilla raste mamografia mund të bëhet edhe tek vajzat e reja, por duhen parë edhe faktorët e tjerë, përshembull nëse pacienti ka një motër e cila është diagnostikuar me kancer në moshë të re nën 35 vjeç, atëherë patjetër që duhet të kryejë mamografinë në moshë më të re.

Përsa i përket moshës së kryerjes së mamografisë, duhet të theksoj që vende të ndryshme kanë protokolle të ndryshme.

Në këtë pjesë duhet shikuar edhe mosha mesatare e kancerit në një vend, për shembull në Amerikë rekomandohet fillimi i mamografisë nga mosha 50-vjeçare, ndërsa në Angli nga mosha 45-vjeçare.