Categories
Uncategorized

Prof. Sokol Xhepa: Kirurg i suksesshëm, por “Aktori i Dështuar”, rrëfimi për provën që e largoi nga aktrimi

I ftuar në emisionin “Ndryshe” në TAR me Salsano Rrapi dhe Elona Duro ishte Prof. Sokol Xhepa.

Ai ka një përvojë 25 vjeçare dhe është një ndër kirurgët vaskularë me më tepër eksperiencë në Shqipëri, me specializime dhe me trajnime të shumta ndërkombëtare.

Mund të duket e çuditshme, por në këtë intervistë fokusi largohet totalisht nga fusha e mjekësisë dhe do të flitet vetëm kinematografinë.

Lidhja e tij me botën e filmit nuk është edhe aq rastësi. Sokoli është djali i aktores së mirënjohur Margarita Xhepa dhe vëllai i aktorit të talentuar Ndriçim Xhepa, ndaj ai gjithmonë ka qenë i rrethuar nga dashuria për kinematografinë.

Nëna e tij madje e ka çuar edhe në një kino-provë për t’u provuar nëse kishte talent apo jo, ndaj ai u shpreh:

“S’kisha talent. Për aktrim? Jo, jo fare. Më provoi Margarita. Më çoi për kino-provë. Kam qenë i vogël në 8-vjeçare.

Më çoi në kino-provë. Ka qenë filmi ‘Shoku ynë Tili’.

Më dhanë një tekst dhe unë i thashë mamit në autobus që ‘kot më çon se unë nuk di’. Ka qenë regjisor Fehmi Hoshafi. Bëra kino-provën dhe dola shumë keq.

I thashë pastaj i inatosur, se i thashë që në autobus që unë nuk bëja për këtë punë”, tregoi ai.

Përse ky pasion kaq i madh për kinematografinë, kur nuk është pjesë e saj?

“Pasion…është mbushje e kohës së lirë. Mua më kujtohet që i vogël kur kishim pushimet e verës, rrishim tek pallati i pionerëve dhe aty ku është kinema Millenium sot ka pas qenë kinemaja e pallatit të pionerëve.

Në qoftë se tjerët luanin lojërat e tyre, se ishte shumë e mbushur me aktivitete sportive atëherë, unë isha në kinema”, tregon ai.