Categories
Uncategorized

Si pritet te jete vera e ketij viti ? Meteorologia tregon detajet e motit

Këto ditë të para të qershorit, vendi ynë po përjeton temperaturat më të larta të sezonit, si pjesë e një vale të nxehti që ka përfshirë gjithë rajonin e Ballkanit.

Meteorologia Tanja Porja, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga terreni, konfirmoi se vala e të nxehtit ka ardhur nga Afrika e Veriut dhe po përhapet drejt Mesdheut dhe Europës Juglindore.

Qershori ka nisur me temperatura shumë të larta, me vlera që arrijnë deri në 34°C në Tiranë dhe qytetet e tjera të ultësirës perëndimore,” – tha Porja.

Edhe zonat malore si Kukësi dhe Hasi, të njohura për klimën më të freskët, pritet të arrijnë deri në 30°C gjatë javës percjell shqiptari.net

Sipas sinoptikanes, moti do të vijojë të jetë i qëndrueshëm dhe kryesisht i kthjellët. Rrebeshet e izoluara do të jenë të rralla dhe të shkurtra, të përqendruara kryesisht në zonat verilindore dhe juglindore.

Nga e enjtja dhe gjatë fundjavës, pritet që temperaturat të rriten edhe më shumë, duke shkuar në 37-38°C në disa qytete. Në të gjithë territorin shqiptar, temperaturat do të jenë rreth 6-10°C mbi normat tipike për këtë periudhë të vitit.

Valë e nxehti është përhapur në të gjithë rajonin – edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku priten temperatura nga 30 deri në 32°C. Në Greqi priten vlera që arrijnë deri në 40°C, ndërsa edhe Bullgaria, Mali i Zi dhe Rumania do të përjetojnë temperatura më të larta se mesatarja.

Çfarë pritet për verën?
Duke iu përgjigjur pyetjes për një parashikim më afatgjatë, Porja tha se qershori do të jetë një muaj shumë i nxehtë, krahasuar me vitet e mëparshme. Meqë ky muaj po nis me temperatura kaq të larta, pritet që edhe korriku dhe gushti të sjellin maksimume që tejkalojnë 40°C, ndonëse nuk pritet që valët e të nxehtit të jenë të gjata në kohë.

“Sinjalet janë që do të kemi temperatura të larta, por me valë të shkurtëra – jo disa ditë radhazi me 40°C siç kemi parë në 2 vitet e fundit,” – shpjegon meteorologia. Sipas saj, kjo është një tendencë pozitive, pasi valët e shkurtra janë më të lehta për t’u përballuar.

Vera e këtij viti pritet të jetë e thatë deri në shtator, me reshje të pakta dhe kryesisht në formë stuhish të izoluara që mund të prekin zonat bregdetare ose malore në mënyrë të paparashikueshme.