Categories
Uncategorized

VLORË/ “Për një porosi, më rrahu si kafshë” – Nënkomisari dhe i dënuari dhunojnë kamarierin në mes të lokalit

VLORË – Dhunë barbare në zemër të qytetit: Nënkomisari dhe një i dënuar dhunojnë kamarierin për një porosi

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Vlorës, në zonën e frekuentuar të Skelës, ku një kamarier 18-vjeçar është dhunuar brutalisht gjatë orarit të punës, në ambientet e një hoteli të mbushur me klientë vendas dhe të huaj.

Sipas burimeve dhe pamjeve të siguruara nga vendngjarja, Ardian Isufi – ish-shef i qarkullimit rrugor të Vlorës, aktualisht jashtë shërbimit – dhe Leart Bimo, një individ me precedent penalë, kanë ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj të riut, vetëm për një keqkuptim të vogël në një porosi.

Dëshmitarët tregojnë se fillimisht, Isufi ka ndërhyrë me tone kërcënuese dhe e ka shtyrë me forcë kamarierin, ndërsa më pas dhuna ka shpërthyer edhe më rëndë, kur Leart Bimo e ka qëlluar disa herë, duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe jetën e tij. E gjithë ngjarja ndodhi përballë klientëve të tmerruar, të cilët u larguan menjëherë nga ambienti, duke lënë lokalin bosh.

Por pyetja që ngrihet me forcë është: Si është e mundur që një përfaqësues i ligjit, një nënkomisar me uniformën blu, të përfshihet në një akt kaq të ulët, barbar dhe poshtërues? Si mundet që dikush i ngarkuar për të mbrojtur qytetarët, të jetë vetë burimi i dhunës së pakontrolluar ndaj një të riu pa armë, pa forcë dhe pa faj?

Sipas Policisë së Shtetit, Ardian Isufi mbante postin e nënkomisarit dhe Oficerit të Policisë në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër. Pas publikimit të pamjeve dhe reagimit qytetar, ai është pezulluar nga detyra. Por a mjafton pezullimi për një akt të tillë? Apo duhet të ketë përgjegjësi të plotë ligjore për një dhunë të kryer në publik, me dëshmitarë dhe prova filmike?

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale dhe opinionin publik, ndërsa qytetarët kërkojnë ndëshkim të menjëhershëm dhe shembullor për ata që përdorin pushtetin për të terrorizuar të pambrojturit.