Categories
Uncategorized

Plot 12 vite pa të madhin Roland Trebicka: Sot përkujtojmë ditën e lindjes së tij

Roland Trebicka u lind në Korçë më 17 janar 1947. Kreu shkollën e mesme të përgjithshme “Raqi Qirinxhi” në vendlindje.

Kur ishte i ri punoi si aktor në Estradën profesioniste te SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore) ose shkurt “Estrada e Ushtarit”.

Gjatë këtyre viteve në këtë trupë profesioniste debutuan edhe aktorë të tjerë të cilët më vonë do të bëheshin të famshëm në fushën e humorit skenik dhe televiziv si Aleko Prodani, Koco Devole, Zef Deda, Sejfulla Myftari (Cekja), Mehdi Maljak, Behar Mera etj.

Në vitin 1971 u bë pjesë e Teatrit Kombëtar (i njohur atëherë si Teatri popullor).

Punoi në Teatrin Kombëtar deri më 1999. Pas një përvoje tri vjeçare me kompaninë “Publimedia”, u rikthye në Teatrin Kombëtar.

Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë Pallati 176.

Mjeshtria e tij në këtë rol ndikoi fort që komedia të thyejë të gjitha rekordet e mëparshme të shikueshmërisë.

Edhe sot, me 500 shfaqje në shtatë vjet, me dhjetra transmetime televizive dhe dhjetra mijë kopje videokasetash të shitura, “Jovan Bregu” është figura më popullore e skenës shqiptare, batutat e të cilit prej kohësh janë bërë pjesë e folklorit dhe zhargonit të sotëm. Por rolet e Trebickës në teatër janë të shumtë. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori” (“Revizori”)… tek “Një burrë me trandafil”.
Në vitin 2002, për rolin e Rojës tek “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për Çmimin “Aktori më i Mirë Mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, në Kajro.

Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Ishte kjo përvojë që shënoi kursin që do të merrte më vonë jeta e djaloshit korçar. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden “Ëndërr për një karrige” (Vaska) dhe “Koncert në vitin 1936” (Nesti).

Në vitin 2011 u sëmur rëndë nga një sëmundje në mushkëri që e detyroi të rrijë larg skenës rreth dy vjet.

Është nderuar me titullin Artist i merituar dhe Qytetar nderi i Korçës. U nda nga jeta më 6 mars 2013