Categories
Uncategorized

Dhuna në protestën e Zvërnecit, në pranga roja i kantierit dhe hetim për zinxhirin drejtues të Policisë Vlorë

Policia arreston rojën e kantierit në Zvërnec, nën hetim për heqje të paligjshme të lirisë dhe plagosje. Nis hetimi për drejtuesit e Policisë së Vlorës

Policia e Shtetit ka arrestuar punonjësin e shoqërisë private të sigurisë që u filmua duke goditur me grusht një qytetar gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në zonën e Portonovës në Zvërnec.

Sipas njoftimit zyrtar, pas publikimit të pamjeve filmike, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për të verifikuar të gjitha veprimet e ndodhura gjatë tubimit të organizuar nga banorët e fshatit Zvërnec.

Si rezultat i hetimeve, u identifikua dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Gerald Biba, 32 vjeç, banues në Durrës, punonjës i kompanisë private të sigurisë që shërbente në kantierin ku po zhvillohej protesta.

Sipas Policisë, 32-vjeçari dyshohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”. Hetimet kanë zbuluar se ai ka goditur me grusht shtetasin E. S. dhe më pas, së bashku me dy persona të tjerë, A. G. dhe G. V., të proceduar penalisht, e kanë tërhequr me forcë drejt zonës së rezervuar për rojet e sigurisë, duke i shkaktuar dëmtime trupore.

Paralelisht me hetimin penal, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar edhe nisjen e një hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, me qëllim verifikimin e mënyrës së menaxhimit të protestës dhe masave të marra gjatë zhvillimit të saj.

Policia e Shtetit deklaron se mbetet e angazhuar në garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, duke paralajmëruar se çdo rast neglizhence apo abuzimi me detyrën do të trajtohet sipas ligjit.