Shqipëria duket se i është nënshtruar tërësisht kërkesave nga jashtë për të goditur institucionet arsimore më cilësore në vend. Pas presioneve të vazhdueshme të Turqisë, qeveria shqiptare ka filluar të lëvizë duke mbyllur fillimisht kolegjin e vajzave “Mehmet Akif” gjatë ditës së djeshme dhe sëfundmi edhe kopshtin në varësi të kolegjeve “Turgut Ozal”.
Përfaqësuesit ligjore të kolegjeve “Turgut Ozal” reaguan sot për mediat, ndërsa më herët kanë informuar edhe familjarët për situatën e krijuar, të cilën ata e konsiderojnë tërësisht të paprecedentë dhe një goditje e rëndë për arsimin cilësor në Shqipëri.
Në reagim, ata hedhin dyshime të forta mbi qëllimet e vërteta të mbylljes së shkollave, të cilat nuk kanë të bëjnë me plotësimin e standardeve, edhe pse ambientet e këtij kopështi janë ndër më modernët në Tiranë.
Mësohet se për mbylljen e këtij kopështi është gjetur një artificë ligjore për ndryshimin e vendit të ushtrimit të aktivitetit nga godina A në godinën B, të cilat ndodhen vetëm pak metra larg njëra-tjetrës, në oborrin e kolegjit “Turgut Ozal”.
Përfaqësuesit e shkollës theksojnë se ndryshimi i vendit të ushtrimit të aktivitetit ka ndodhur disa vite para se të hyjë në fuqi detyrimi ligjor për deklarimin e tij, megjithatë ata shprehen se kanë aplikuar disa herë pranë MAS për miratimin e këtij ndryshimi, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje duke u përballur me inspektime surprizë pak ditë më parë.
Duket se inspektimet kanë ardhur pasi autoritetet kanë vendosur mbylljen e kopshtit dhe kështu duke mos i miratuar ndryshimin e vendit të aktivitetit kanë gjetur një artificë për të mbyllur aktivitetin.
Ndërkohë, avokati Isuf Shehu tha se kopshti është financim holandez dhe se çështja do të ndiqet në rrugë ligjore.
“Ky kopsht ka qenë në këtë adresë prej viti 2004. Ka pasur një korrespondence me ministrinë e Arsimit. Në muajin shkurt nga ana e ministrisë së Arsimit ky fakt që në dosjen e tyre nuk kishte një dokumentacion lidhur me vendndodhje është sqaruar dhe ka filluar procedura.
Ky kopsht ka qenë pjesë inspektuese e ministrisë, ku kanë konstatuar standarde më të larta. Ajo që ka ndodhur është një moskomunikim dhe mos respektimin të ligjit nga ana e ministrisë, mos respektimit të kritereve të ligjit parauniveristar. Kjo është reflektuar në këtë urdhër të padrejtë dhe të paligjshëm nga ana e ministrisë së Arsimit.
Është përgatitur administrata për të respektuar parimin e ligjshmërisë. Ne i kemi marrë masat. Dje kishim grupin e inspektimit.
Njerëzit nuk janë tastierë kompjuteri dhe menjëherë të kalojnë në një faqe tjetër. Do kohën e tyre ky proces.
Nuk ka lidhje mes fondacionit të Gylestan dhe shoqërisë Turgut Ozal. Aktiviteti i kopshtit është pjesë e aktivitet të shoqërisë Turgut Ozal, që është pjesë e një investimi të huaj holandez” tha ai.
Reagimi i plotë i shkollës
Të nderuar të pranishëm,
përfaqësues të medias, të dashur prindër
të dashur kolegë te kopshtit “Zybejde Hanëm”,
Duke ju falenderuar për pjesëmarrjen tuaj sot këtu, duam t’Ju informojmë lidhur me urdhërin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në Republikës e Shqipërisë për mbylljen e aktivitetit të kopshtit jopublik “Zübeyde Hanım”, Tiranë, pjesë e shoqërisë Turgut Ozal EDUCATION Sh.a.
Institucionet arsimore në varësi të “Turgut Ozal Education” Sh.a. kanë qenë ndër institucionet e para arsimore private të hapura në Shqipëri në demokraci. Gjatë gjithë kësaj periudhe, institucionet tona kanë ofruar një arsim cilësor në të gjitha nivelet në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.
Kopshti jopublik “Zübeyde Hanım” është institucion i licencuar me Urdhërin e Ministrit Et’hem Ruka përgjegjës për arsimin Nr.67, datë 15.10.1998, me adresë në Rrugën e Kavajës. Ky institucion, që nga viti 2004 ka vazhduar veprimtarinë e tij me standarde më moderne dhe duke përfshirë të gjithë inovacionet teknologjike në mbështetje të procesit mësimor, në kompleksin arsimor parauniversitar jopublik “Turgut Ozal” me vendndodhje në ish-qytetin e nxënësve Tiranë.
Gjatë gjithë kësaj periudhe 24 vjeçare, ky institucion ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë veprimtarinë e tij nën monitorimin e autoriteteve përkatëse në bashkëpunim korrekt me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit si edhe Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP); Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar; Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Durrës dhe Zyrën Vendore Arsimore Tiranë duke dorëzuar pranë këtyre institucioneve të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.
Kjo cilësi dhe ky standard është lehtësisht i konstatueshëm, jo vetëm nga prindërit që na kanë besuar fëmijët për vite me radhë, por edhe për çdo të interesuar, qytetarë të thjeshtë apo përfaqësues të medias, të cilët dëshirojnë ta vizitojnë mjediset e tij nga afër.
Megjithatë, pavarësisht reputacionit që gëzojnë institucionet tona arsimore në vend dhe më gjerë, me keqardhje të madhe theksojmë se gjatë muajve të fundit, kopshti “ Zübeyde Hanım” Tiranë (në vijim “kopshti”), ka qenë papritur objekt i inspektimeve të shtuara të cilat nuk i përgjigjen asnjë plani monitorimi apo inspektimi nga organet në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ( MAS), të cilat kulmuan me miratimin e Urdhrit të Ministrit të Arsimit dhe Sportit nr.540, datë 15.09.2022 “Për mbylljen e veprimtarisë së institucionit privat të arsimit parauniversitar “Zübeyde Hanım” Tiranë”, të cilin e gjeni bashkëngjitur.
Në raportet e inspektimit është konstatuar se ky kopsht përmbush të gjithë kriteret e ligjshmërisë si dhe është lënë rekomandim nga inspektorët marrja e miratimit për ndryshimin e vendndodhjes së kopshtit, në dukje një procedurë për t’ja përshtatur ligjit, gjë që ka gjetur mbështetjen dhe gatishmërinë e plotë të Shoqërisë Turgut Ozal për ta zbatuar.
Në zbatim të rekomandimeve, kopshti jopublik “Zubeyde Hanim” në mënyrë të përsëritur ka aplikuar për marrjen e miratimit duke filluar nga data 16.02.2022.
Pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe, me shkresën e saj nr. 4004/5 Prot., datë 13.09.2022, MAS ka refuzuar kërkesën tonë për miratimin e ndryshimit të vendndodhjes, procedurë e cila është rutinë për këdo që ushtron aktivitet në Republikën e Shqipërisë.
Duhet theksuar se gjatë gjithë këtyre viteve, Kopshti Zybejde Hanëm ka qenë pjesë e vazhdueshme e rutinës së inspektimeve nga drejtoritë dhe institucionet përgjegjëse, ku në asnjërin nga këto procese nuk është sjellë asnjëherë në vëmendje një shqetësim i tillë, dhe aq më pak të konsiderohet si shkelje që të pasojë heqjen e lejes për ushtrimin e aktiviteti edukativ. Por por e vërteta është që ne ndodhemi përpara një të fakti të tillë, që e kemi shumë të vështirë ta kuptojmë dhe aq më pak tui shpjegojmë publikut, prindërve, femijëve papritur tani gjendemi përballë një situate të tillë.
Për çfarë shprehëm më sipër, rrethanat na bëjnë të besojmë se jemi sjellë përballë një fakti të tillë nisur nga situata jashtë sferës së zbatimit të ligjit, të cilat nuk lidhen me arsimin.
Dikur Viktor Hygo pati thënë se ai që hap derën e një shkolle mbyll dyert e burgut, prandaj kërkojmë nga Ministria e Arsimit që të rishikojë vendimin, pasi përballë ka institucione dhe individë që e dashurojnë arsimin dhe gjatë më shumë se dy dekadave kanë treguar se respektojnë në mënyrën më korrekte ligjet e Republikës së Shqipërisë.
Ne besojmë se e ardhmja e më shumë se 200 fëmijëve që vazhdojnë edukimin aktualisht në këtë kopsht dhe mijëra të tjerëve që do të vijnë vlejnë më shumë se sa çdo trysni e jashtme që në fakt nuk ka të bëjë me realitetin në vendin tonë.
Ky vendim prek interesin dhe prish qetësinë e mbi 200 familjeve, prindërve që na kanë besuar sot fëmijët e tyre dhe vret shpresën e shumë të tjerëve që nesër do të duan të na besojnë fëmijët e tyre. Ky vendim vret shpresën e 35 mësuesve të përkushtuar maksimalisht se Shqipëria mund të bëhet vërtet.
Duke besuar te demokracia dhe shteti ligjor në Republikën e Shqipërisë, shprehim vendosmërinë tonë për të ndjekur deri në fund rrugën ligjore me organet e drejtësisë në vend dhe më gjerë.
Gjithashtu, duam t’ju bëjmë me dije se ditën e sotme kemi depozituar dokumentacionin përkatës pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për anullimin e këtij Urdhri, si dhe kemi njoftuar të gjitha institucionet e interesuara vendase dhe të huaja për situatën e krijuar.
Bazuar në sa më sipër, dëshirojmë të kërkojmë edhe njëherë mbështetjen Tuaj gjatë këtij procesi të vështirë, por me besimin e plotë se e drejta do të gjejë vendin që i përket.
Sjellim në vëmendjen Tuaj se drejtuesit dhe stafi pedagogjik në të gjitha institucionet “Turgut Ozal” janë të vendosur në angazhimin e tyre për t’i trashëguar brezave të rinj përmes dritës së dijes, një të ardhme ku mbizotëron njerëzimi, paqja dhe dashuria për familjen dhe atdheun.