Kjo recetë u përgatit nga Kokopisha : Ka shumë mënyra për të përgatitur pispilinë, por Kokopisha sigurisht që ka zgjedhur më të thjeshtën dhe të shpejtën që mund ta provojë në shtëpi edhe një amator në kuzhinë.
Përbërësit: 1 kg presh, 1/2 kg miell misri, 2 kokra vezë, 300 g djathë i bardhë, kripë, piper, 1 lugë kafeje sodë buke, pak kos sa për të lyer sipërfaqen sipërm 2-3 lugë gjelle vaj ulliri dhe 300 ml qumësht.
Përgatitja: Lajmë preshin mirë dhe e presim hollë. E lëmë në zjarr të ulët deri sa ta shterojë ujin që do lëshojë. Shtojmë 2 lugë gjelle vaj ulliri dhe e kaurdisim. Në një enë rrahim 2 kokrra vezë, si dhe thërmojmë djathin e bardhë dhe qumështin. Këtë masë e hedhim te preshi.
Shtojmë miellin e misrit dhe sodën. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper dhe krijojmë një masë që do ta pjekim. Mund të shtrojmë në tavë letër për pjekje që mos të ngjisë.
E hapim masën dhe më fund shtojmë pak kos duke e hapur në të gjithë sipërfaqen. E pjekim në furrë të parangrohur në temperaturë 200⁰C për afërsisht 30 minuta, sa të marrë ngjyrë të bukur të artë./LIVING