Demir Hyskja, gjatë gjithë karrierës së tij ka luajtur rreth 60 role në skenën e teatrit dhe rreth 40 role në filma. Ky “Artist i Popullit” ka luajtur edhe në skenat ndërkombëtare si në Gjermani, Francë, Itali, Rumani e gjetkë, ku ka vajtur Trupa e Teatrit Kombëtar, pjestar i së cilës ka qenë edhe ai.
Që nga roli i dramës “Tokë e përgja kur”, ku ka luajtur edhe i madhi Kadri Roshi, Demir Hyskja kujton jo pa nostalgji rolin e parë në një film dhe ai është roli i Mytesarifit të Durrësit në filmin “Nëntori i Dytë”.
Pak kohë para se të ndahej nga jeta,në Gusht 2016, Demir Hyskja dha një intervistë për gazetarin Hyqmet Zane, të cilën po e risjellim sot.
– Ju vjen keq që artistët nuk vlerësohen shumë për atë investim qëi kanë dhënë shoqërisë.
Demir Hyskja – Më vjen keq për një gjë, se ne punuam shumë. Besuam edhe në ideale se po i shërbenim një kauze të madhe, edukimit të njeriut, formimit të njeriut të ri dhe në emër të kësaj ne punuam me përgjegjësi të lartë.
Pse ndjenim përgjegjësinë e punës, punët tona morën vlera për kohën. Tematika që ushtrohej në atë kohë në veprat që shkruheshin dhe viheshin në skenë apo në film, ka qenë shumë e larmishme, me shkrime me karakter patriotik, me karakter shoqëror e shkencor.
Dhe arriti deri aty ku arriti. Por vlerësimi materiale për ne në atë kohë ka qenë qesharak. Nuk ka vlerë t’i zeshë me gojë. Sot vlerësimi ka marrë përmasa të tjera.
Të luash një rol të rëndësishëm në një film, mund të marrësh edhe 2 milion lekë për një punë ta zemë dy muaj. Ndërsa ne kemi punu me 100 lekë të vjetra dietë në ditë. A mund të jetohet me 100 lekë të vjetra ?