Shqipëria dhe Greqia do të lidhen mes tyre me një sistem hekurudhor për transport udhëtarësh dhe mallrash me një linjë që nis në Kristalopigi pranë Follorinës dhe vazhdon deri në Pogradec.
Më tej lidhja hekurudhore vazhdon me rrjetin ekzistues në Shqipëri dhe atë në Greqi duke bërë të mundur që lëvizjet të kryhen në të gjitha zonat që dy vendet mbulojnë me hekurudha.
Krijimin e kësaj linje hekurudhore të gjatë 130 kilometra e njoftoi Bashkimi Evropian. Në Gazetën Zyrtare të BE është publikuar Deklarata e Procedurës së Hapur për Kontratën e Shërbimit për zbatimin e vlerësimit dhe përzgjedhjen e investimeve në kuadër të projektit të titulluar “Iniciativa për përmirësimin e transportit ndërkufitar përmes lidhjes hekurudhore midis Krystalopigi dhe Pogradecit” me akronimin Hekurudha CB.
Bazuar në këtë projekt, po bëhen studimet e nevojshme për ndërtimin e linjës së munguar midis dy vendeve.
Ky projekt është pjesë e projektit “CB RAILWAY” i cili synon të zhvillojë një plan të përbashkët strategjik investimi për lidhjen e Greqisë dhe Shqipërisë, përmes një linje të re hekurudhore në perëndim nga Krystallopigi në Pogradec dhe juglindje deri në Aeroport, me një gjatësi totale prej rreth 130 km, thuhet në dokument.
Projekti bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe nga Burimet Kombëtare të vendeve pjesëmarrëse në “Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA Interreg.
Presidenti dhe CEO i Hekurudhave Greke ERGOSE, Christos Vinis në prononcim sot për mediat e Athinës u shpreh: “Projekti ka të bëjë me ndërlidhjen e Greqisë me Ballkanin dhe Evropën hekurudhore. “Ky është një tjetër hap vendimtar drejt arritjes së qëllimit kombëtar për ta kthyer Greqinë në një qendër rajonale për sektorin e logjistikës dhe transportit në rajonin e më gjerë”.