“Se kreti i vjetër” vetëm me të verdhë veze, për një fytyrë të re. Gazetarja dhe spikerja e njohur tregon si kujdeset për lëkurën.
E ndërsa vitet kalojnë dhe koha bën të vetën ajo vazhdon të mbetet një nga figurat më të dashura për publikun shqiptar.
Tefta Radi tregon disa detaje për preferencat e saj në kuzhinë, recetën e parë të gatuar nga duart e saj, pjatat ku shpalos talentin me aq shumë dashuri dhe sekretet që e bëjnë një amvistë të shkëlqyer.
Ajo tregon gjithashtu sekretin që fshihet pas pamjes së saj vajzërore, pavarësisht viteve që mbart mbi supe.
Prej shume vitesh në pension, por jo e papunë siç thotë, ajo vazhdon të ketë një jetë profesionale aktive.
Koha bën të veten, por disa kujtime mbeten po aty. Arrini të kujtoni recetën e parë që keni gatuar?
Vërtet jeta fluturon, është e shkurtër, e kur kthehesh pas në kujtime gjithçka të fokusohet si në një film.
Sa më shumë vite lë pas, aq më shumë nostalgjike bëhesh.
Ndonëse jetesa nuk kishte standardin e sotëm, në fëmininë e rininë tonë, mendoj se dashuria brenda familjes ka qënë e pamasë.
Mezi prisnim pushimet e verës për të shkuar tek gjyshet tona, prej të cilave mësuam më të mirën që qënia njerëzore ka brenda vetes virtytet, sjelljen e hijshme, dashurinë per njerëzit, librin, e pse jo edhe gatimin.
Ato nuk përtonin të na gatuanin më të mirën që dinin të bënin: lakrorët për shembull Korça i ka zanat.
Më ka mbetur në mendje lakrori me kumbulla të egra, i pjekur me saç.
Ende nuk kam arritur ta shoh një gatim të tillë, apo ta shijoj si atëherë.
Mësuam nga gjyshet si të gatuajmë, të bëjmë një gjë të veçantë. Unë kam gatuar që në moshën 12 vjeçare.
Që në fëmijëri, nëna ma ka lënë të hapur shtegun e gatimit.
Receta e parë kanë qenë petullat me kos, vezë e pak konjak në vend të sodës si gjëja më e lehtë.
Ka ndonjë specialitet në kuzhinë ku ju shkrini gjithë talentin tuaj dhe e gatuani gjithmonë me dashuri? Në përgjithësi shijoj pa masë perimet.
Parapëlqej ta them pa rezerva se talentin e shkrij në tavën me patëllxhana.
I gatuaj me shumë dashuri dhe tradicionalisht siç i gatuan nëna ime, një korçare vërtet nikoqire dhe duarartë.
Ju pëlqen t’i ndiqni recetat e gatimit me përpikmëri apo të eksploroni në kuzhinë, duke gatuar gjëra të reja, duke kombinuar përbërësit që ju pëlqejnë më së shumti?
Në përgjithësi më pëlqejnë gatimet tradicionale, me të cilat kuzhina shqiptare është e pasur.
Lloje të ndryshme supërash nga ato me perime e deri tek supërat e prera me vezë, me kos, çomlek, qofte jani, mish turli, pse jo fasulet e në përgjithësi legumet.
Nuk parapëlqej ushqimet e thata.
Megjithatë gatuaj tavën e kosit, lakronin me spinaq, apo me qepë e domate, pastat e ndryshme, deri tek pastiçja.
Më pëlqejnë shumë erëzat të cilat i përdor natyrisht, aty ku shijojnë vërtet.
Cili është sekreti që fshihet pas pamjes tuaj prej vajze të re: qendrat estetike apo maskat me produktet bio të përgatitura vetë në shtëpi?
Nuk jam dalluar për frekuentimin e qendrave estetike. Edhe në përdorimin e kremrave kam qenë e rezervuar. Nganjëherë është edhe çështje geni thotë populli.
Mendoj se larja e fytyrës edhe çdo mbrëmje para gjumit, me ujë e jo locionet e ndryshme, është diçka e mirë, një porosi kjo sërish prej gjyshes sime.
Ndonjëherë e lyej fytyrën me të verdhën e vezës e pasi thahet, e fërkoj.
Bashkë me vezën largohen edhe papastërtitë e lirohen poret. Edhe ky fakt, një këshillë prej saj.
Cilat janë ushqimet që konsumoni dhe ju bëjnë të ndjeheni në formë, pavarësisht kohës që kalon? Perimet dhe frutat.
Ndër perimet futet edhe karota të cilën e shijoj shumë. Më pëlqen ta konsumoj, pasi e pastroj dhe vendos në frigorifer.
Bëhet më krokante, më e lehtë në përtypje dhe shumë e shijshme..