Vendi ynë po përballet me temperatura nën 0 gradë C këtë javë, ndërsa termometri ka shënuar rekord në qarkun e Shkodrës.Gjatë mbrëmjes së kaluar rekordin e temperaturave e mban Qafa e Thorës me – 22 gradë C, ndërsa në Vermosh, ato kanë arritur deri në -17.
Në akset Bogë – Theth dhe nga Leqet e Hotit e Deri në Vermosh, ka prani ngricash dhe këshillohet përdorimi i zinxhirëve.
Ndërkohë sipas parashikimit të Anira Gjonit, meteorologes nga Instituti i Gjeoshkencave, dita e sotme do të ketë reshje bore në qarkun e Kukësit.
E hëna ishte dita më e ftohtë e javës, por gjatë muajit Shkurt do të ketë një rritje graduale të temperaturave dhe ngrica e acari nuk do të jenë më prezentë.
“Duke filluar nga dita e enjte do të kemi një ngritje të lehtë të temperaturave me 2-3 gradë dhe gradualisht do vazhdojnë deri javën tjetër derisa të kalojnë mbi 0, flasim për minimalen.Shqetësuese temperaturat e ulëta do të ngelen për zonat malore.
Java tjetër pritet që temperaturat të ngrihen dhe të mos kemi më ngrica dhe acar, çka do të thotë se do të jetë e zakonshme për muajin e Shkurtit”,ka thënë ajo.