Përbërësit: 10 – 12 speca të kuq (me madhësi mesatare), 1 qepë e thatë e madhe, 2-3 thelpinj hudhër, 2 tufa kopër, 1 lugë e vogël kripë,
100 g djathë i bardhë mund të shtoni dhe pak kaçkavall, 2 luge vaj ulliri për mbushjen dhe pak vaj për të pjekur specat, tuli i 2-3 domateve ose 3 lugë gjelle pure domateje dhe rreth 1 filxhan çaji bollgur kokërr mesëm.
Përgatitja: Pastrojmë specat nga farat, i lajmë, i fshijmë dhe i vendosim të piqen me pak vaj ulliri në 200 gradë rreth 15 – 20 minuta derisa të zbuten pak.
Ndërkohë që piqen specat, skuqim qepën e grirë hollë sa të zbutet mirë, shtojmë hudhrën, domatet ose purenë e domateve, bollgurin, kripën dhe shtojmë ujë rreth 2 filxhanë çaji. E mbulojmë me kapak tenxheren dhe e lemë mbushjen të ziejë në zjarr të ngadaltë.
Pas 15-20 minutash shtojmë kopër të grirë dhe djathin e thermuar. E heqim nga zjarri gjellën dhe kur të jetë ftohur disi mbushim specat me ndihmën e një luge të vogël.
Shtojmë në tepsi gjysmë gotë uji dhe i vendosim përsëri të piqen për 15 – 20 minuta sa të lidhen shijet dhe uji të ketë avulluar.
Specat e kuq janë shumë të ëmbël dhe edhe pse kishin djath brenda përsëri mu duk se do të shkonin për t’i ngrënë të shoqëruar me djathë. Gjithashtu një tarator ose një dhallë do të shkonte më së miri.