Nga Osman Stafa : E kisha parë këtë njeri shpeshherë me libra në duar, por kisha menduar se i mban kot.
E kisha paragjykuar. Teksa kalova sot për të shkuar në Parlament, i kalova afër dhe e dëgjova tek lexonte me zë të ulët.
U ndala. I dhashë disa të holla për të gjetur mundësinë për të folur me të.
“Jetoj i vetëm diku në Sauk. Nuk kam njeri”-më thotë.
“Ke nevojë për të ngrënë apo ndonjë nevojë tjetër?, i them.
“Jo”, më thotë, “Jam me agjërim. Unë agjëroj.”
Mbeta pa fjalë. Nxorra nga xhepi disa para të tjera, për të blerë me to ushqime për iftar, por zotëria insistoi për të mos i pranuar sepse ishin shumë dhe se sapo i kisha dhënë. E binda.
“Ke nevojë për diçka që mund të bëj për ty në vazhdim?” U mendua.
“Për Bajram po munde.” Ia premtova që po.
Po sa vjeç je? -S’e mbaj mend.
Ku ke mësuar të lexosh? -Që i vogël.
Po pse lexon? -Sepse s’më lë të humb mendjen.
E di ti që njerëzit, e sidomos të rinjtë nuk lexojnë sot?- (Qeshi) S’do ia dinë kuptimin jetës. Leximi të zhvillon.
Po pse s’te ka zhvilluar ty? – Sepse mua ashtu më erdhi jeta.
Je i lumtur me jetën që ke? -Jo nuk jam, por jam mësuar. Ky është fati im.
Po pse agjëron? -Sepse kam lexuar për Zotin.
Po si beson në Zot ti me jetën që ke. Zoti s’të ka ndihmuar. -Quhet sprovë.
Të ka ftuar ndonjë politikan për iftar? -(Më pa në sy) Ç’punë kanë ata me Zotin?
Do shihemi prapë, i thashë. -Do të të pres dhe ditë të mbarë.