Categories
Uncategorized

Anemia: Mjeku i njohur tregon disa shenjat paralajmëruese të kësaj sëmundjeje

Anemia është një problem shëndetësor shumë i përhapur, por nuk është vetëm mungesa e hekurit shkaku kryesor.

I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, mjeku hematolog, Sotiraq Lako u shpreh se anemia vlerësohet nga vlera e hemoglobinës ndërsa tregoi disa shenjat paralajmëruese të kësaj sëmundjeje.

“Aneminë e vlerësojnë nga vlera e hemoglobinës. Zakonisht shfaqin disa shenja sikurse lodhje, këputje të trupit.

Gjithashtu anemia të shkakton marrje mendsh, zhurmë në vesh, vështirësi në frymëmarrje sidomos kur je në lëvizje sepse në këtë rast konsumi i oksigjenit është më i madh.

Edhe ngjyra e zbehtë është një shenjë paralajmëruese pasi sa më e ulët të jetë hemoglobina aq më e zbehtë është edhe ngjyra e fytyrës dhe e kundërta.

Dua të theksoj që jo çdo shenjë e anemisë manifestohet me ankesa.

Klinika e anemisë përcaktohet edhe nga mosha e pacientëve ku mosha e re e suporton aneminë shumë më mirë se një moshë më e vjetër”, tha mjeku.

Mjeku theksoi se sëmundja e anemisë mund të jetë e trashëguar por edhe e fituar gjatë jetës. Ai theksoi po ashtu se është me shumë rëndësi zbulimi i shkakut që çon në anemi.

“Një pjesë e anemisë është e trashëguar ndërsa një pjesë është e fituar.

Për mentalitetin tonë, faji i vihet ushqimit për shfaqjen e anemisë, por theksoj se fakti kryesor i anemisë është defiçiti i hekurit dhe njerëzit marrin ushqime me përmbajtje hekuri.

Por duhet theksoj që anemia është maja e ajsbergut, kështu që marrja e ushqimeve me hekur mund të jetë disi ndihmuese, por nuk ka ndikim në shërimin e anemisë apo shkakut që ajo vjen.

Është shumë e rëndësishme të zbulosh shkakun nga ka ardhur defiçiti i hekurit apo vitaminave të tjera” tha mjeku.

/rtsh.al/