E diela do të sjellë freski si në mëngjes, ashtu edhe në mesditë.
E hëna dhe e marta do të vijojnë me një ulje të lehtë të temperaturave në orët e mesditës, ndërsa moti mbetet i kthjellët në pjesën më të madhe të vendit.
Vranësirat do të jenë të pakta dhe të përqendruara në zonat malore.
Në fundjavë, era në bregdet pritet të jetë mesatare dhe hera-herës paksa problematike për pushuesit, por në përgjithësi, kushtet atmosferike në vijën bregdetare do të jenë të favorshme.
Krahasuar me pjesën tjetër të Mesdheut perëndimor dhe gadishullit Iberik, ku priten temperatura që shkojnë deri në 40°C për shkak të një vale të të nxehtit, territori shqiptar do të përjetojë një mot të këndshëm dhe komod.
Edhe Italia pritet të përjetojë temperatura të larta, deri në 39–40°C, ndërsa vendi ynë do të ketë vlera maksimale më të moderuara, 30–34°C.
Në pjesën tjetër të Europës verilindore dhe Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, fundjava do të karakterizohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme dhe temperatura të përshtatshme për aktivitete në natyrë.
Siç është theksuar që në fillim të muajit, nuk priten ditë të qershorit ku temperaturat maksimale të jenë nën 30°C. Deri tani, dita më e nxehtë ka shënuar 38.4°C. Megjithatë, nuk presim që këto vlera të përsëriten gjatë qershorit, me përjashtim të datës 27 dhe ditëve në vijim, ku një valë tjetër e të nxehtit mund të përfshijë rajonin.
Deri atëherë, moti në vend do të mbetet i qëndrueshëm dhe i favorshëm, me temperatura që luhaten nga 30 në 33°C në mesditë.