Parashikimi i motit për këtë javë nga Lajda Porja e MeteoAlb.
Si parashikohet të jetë kjo javë?
Në fakt, do të jetë një javë shumë e nxehtë.
Për të gjithë ata që kanë planifikuar pushime në bregdet apo për ata që do të qëndrojnë në Tiranë për punë, duhet të përgatiten për temperatura të larta, të ngjashme me ato të javës së kaluar – në mos më të larta.
Java e fundit e qershorit do të karakterizohet nga depërtimi i masave ajrore me origjinë afrikane, të cilat nisën që gjatë natës së ditës së hënë.
Duke filluar nga e marta, temperaturat do të rriten ndjeshëm. Parashikohet që e enjtja dhe e premtja të jenë ditët më të nxehta të këtij muaji. Në disa zona të izoluara si Elbasani, Berati, apo mbi Shkodër (Koplik), priten temperatura që mund t’i afrohen 40°C. Në shumë qytete të zonës së ulët, përfshirë edhe Tiranën, termometri do të shënojë 37–38°C. Ndërsa përgjatë vijës bregdetare temperaturat do të jenë rreth 35–36°C, dhe mbi 30°C edhe në zonat malore si Peshkopia, Kukësi dhe Hasi.
Kjo valë e të nxehtit do të zgjasë gjatë gjithë javës, me një rënie të lehtë të temperaturave gjatë fundjavës – jo më shumë se 1 gradë në disa zona, ndaj ndjesia do të vazhdojë të mbetet shumë e nxehtë.
A do të ketë reshje?
Të premten, në skajet veriore dhe verilindore të vendit mund të ketë rrebeshe shiu afatshkurtra. Megjithatë, në pjesën më të madhe të territorit moti do të mbetet i kthjellët dhe i thatë deri në fund të qershorit.
Ky muaj është parashikuar si një nga qershorët më të nxehtë në historinë e matur meteorologjikisht. Normalisht, temperaturat për këtë periudhë duhet të jenë jo më shumë se 30–31°C, ndërsa aktualisht në shumë qytete pritet të jenë 8–10°C më të larta. Dhe këto janë temperatura të matur në hije – çka do të thotë që ndjesia reale që përjeton organizmi ynë, sidomos në diell apo ambiente të hapura, është edhe 4–5°C më e lartë. Për shembull, nëse në Kuçovë matim 40°C, ndjesia në trup është si 43–44°C.
Këshilla për qytetarët:
Intervali më i nxehtë i ditës është nga ora 11:00 deri në 14:30. Këshillohet që gjatë këtij orari të shmanget ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit. Për ata që janë të detyruar të dalin, është mirë të zgjedhin rrugë me hije, të mbajnë ujë me vete dhe të qëndrojnë të hidratuar.
Në krahasim me qershorin e vitit të kaluar, ky pritet të jetë dukshëm më i nxehtë. Zakonisht, valët e të nxehtit afrikan na prekin në korrik dhe gusht – por ky është një ndër qershorët e rrallë që përjeton dy herë temperatura 10°C mbi normalitetin sezonal. Që në javën e parë të muajit, termometri regjistroi 35–36°C, dhe java që po vjen pritet të jetë kulmi i të nxehtit për këtë muaj.