Stuhia e së shtunës dhe reshjet që pasuan gjatë natës së të dielës i kanë lënë vendin diellit.
Sipas parashikimeve të motit, në ditët e para të shtatorit, temperaturat do të rriten, duke sjellë një javë tipike vere në nisje të stinës së vjeshtës.
“Parashikohet që nga nesër e në vijim të kemi rritje të temperaturave, pra ditët e nxehta nuk kanë mbaruar ende, që do të thotë duke filluar nga mesi i javës, përfshirë të premten dhe në fundjavë, ne presim temperatura tipike vere”, tha sinoptikania Lajda Porja.
Sipas sinoptikanëve, situate të tilla si ajo e së shtunës mund të përsëriten edhe gjatë muajit shtator.
“Probabiliteti është shumë i lartë që të kemi përsëritje të të njëjtave situata, që do të thotë përgjatë shtatorit do të kemi 3-4 ditë shumë të nxehta, më pas do të ndërpriten nga një fenomen stuhi tropikale.
Janë tipike që ndodhin pikërisht në këtë periudhë.”
Ndryshimet klimatike të fundit kanë bërë që fenomenet ekstreme të jenë edhe më të shpeshta, por edhe më agresive.
“Po shohim disa fenomene të cilat kanë një shkallë agresiviteti më të lartë nëse bëjmë një krahasim me përpara 20-30 viteve.
Dueht të theksoj se ne duhet të jemi të sinjalizuar se duke qenë se shtatori do të jetë i nxehtë, ka një probabilitet mjaft të lartë që të kemi stuhi më prezente”, përmbyll Porja.
Situata meteorologjike do të jetë e stabilizuar edhe në vendet e Ballkanit, gjatë javës së parë të muajit të ri, pa reshje dhe me temperatura të larta.