Thellohet skandali me përdorimin tej normave të lejuara të pesticideve në produktet shqiptare.
Pas domateve dhe pjeshkëve të bllokuara në Kroaci, një sasi me spec të kuq të eksportuara nga Shqipëria drejt Sllovenisë janë tërhequr me urgjencë nga tregu atje, për shkak të nivelit të lartë të pesticideve, që u zbulua në produktin shqiptar.
Kompania Geaprodukt në Slloveni ka dhënë urdhrin për tërheqjen e specave nga Shqipëria, pasi në to janë gjetur pesticide të tepërta si acetamiprid, formetanate dhe flonicamid.
Produkti i eksportuar nga Shqipëria drejt Sllovenisë, nga data 24 gusht deri në 4 shtator, ishte paketuar në kuti kartoni dhe më pas në qese plastike.
Kompania sllovene iu ka kërkuar të gjithë qytetarëve të mos e konsumojnë produktin, për shkak të pesticideve të tepërta, por ta kthejnë në vendin e blerjes ose ta hedhin.
Gjithashtu, personat që kanë qenë në kontakt me ushqimin e kontaminuar, duhet të dezinfektojnë duart, njoftuan autoritetet në Slloveni.
Ndërkohë, pak ditë më parë, Kroacia asgjësoi 4 tonë me domate shqiptare, pasi rezultuan të ishin spërkatur 5 herë më tepër se norma e lejuar me helmin që vret insektet chlorfenapyr.
Domatet e rrezikshme u groposën nga shteti kroat, i cili po ashtu më 22 gushti kishte asgjësuar 5 tonë pjeshkë nga Divjaka, sepse në këtë frutë shqiptar ishte gjetur prezencë e lartë e metalit të rëndë, nikel.