Pas ditëve me temperatura të larta për stinën, Shqipëria pritet të përballet me një “copëz dimri” që do të shfaqet gjatë kësaj jave.
Sipas sinoptikanit Akil Osmani, duke filluar nga e mërkura në mbrëmje do të regjistrohet një rënie e ndjeshme e temperaturave, që do të shoqërohet me reshje shiu dhe më pas edhe dëbore në zonat malore.
Vlerat minimale, të cilat sot kanë qenë rreth 16-17°C në disa qytete, do të zbresin në 6°C, ndërsa në zonat malore pritet të afrohen me 0°C.
Në zonat veriore dhe verilindore reshjet e dëborës do të shfaqen fillimisht në majat e larta, ndërsa të enjten dhe të premten bora mund të zbresë deri në 700 metra mbi nivelin e detit në veri dhe 1000 metra në juglindje.
Reshjet e shiut do të jenë të pranishme që nga mbrëmja e sotme në zonat perëndimore, ndërsa të enjten pritet të jenë më intensive në jug dhe juglindje.
E premtja do të karakterizohet nga mot më i paqëndrueshëm, me reshje të përqendruara kryesisht në lindje dhe verilindje.
Një tjetër element i rëndësishëm do të jetë era, e cila do të fryjë me shpejtësi të lartë, deri në 70-80 km/h, duke e bërë ndjesinë e të ftohtit edhe më të fortë.
Sipas parashikimit, fundjava do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore të ftohta, duke sjellë temperatura më të ulëta se normalja për muajin tetor dhe reshjet e para të dëborës në disa qytete malore të Shqipërisë.