Sipas parashikimeve te motit nga Tanja Porja, mëngjesi i së shtunës do të sjellë një rritje të lehtë të temperaturave.
Në zonat malore termometri do të ngjitet nga 6 deri në 8 gradë, ndërsa në perëndim temperaturat do të luhaten mes 17 dhe 20 gradëve.
Në mesditë dhe pasdite do të ketë shtim të vranësirave, më të dukshme në lindje dhe në qarkun e Tiranës e Elbasanit.
Nuk priten reshje, ndërsa era do të fryjë mesatare nga veriperëndimi, herë pas here më e fortë në det.
Maksimumet e ditës do të arrijnë 26 deri në 28 gradë në pjesën perëndimore dhe bregdetare, ndërsa në zonat malore rreth 21 gradë.
E diela do të jetë e ngjashme: kthjellime në pjesën më të madhe të vendit dhe vranësira të lehta që shtohen paradite.
Temperaturat do të mbeten pothuajse të njëjta, me një freskim të lehtë në mëngjes, ndërsa maksimumi do të arrijë sërish 28 gradë në jugperëndim.
Nga e hëna nis një rënie graduale e temperaturave dhe shtim i vranësirave, që do të bëhen më të ndjeshme nga e marta deri të enjten, me mundësi për reshje të pakta në zonat jugore dhe juglindore.
Në shkallë Ballkani, fundjava do të jetë me diell në pjesën më të madhe të rajonit, përveç zonave pranë Detit të Zi ku priten reshje, erë e fortë dhe stuhi detare.
Në pjesën tjetër të Ballkanit moti mbetet stabil dhe i ngrohtë, me temperatura që arrijnë deri në 29 gradë në jug.
Në Europë, reshjet do të prekin më shumë brigjet lindore të Spanjës dhe zonën e Detit të Zi, ndërsa pjesa tjetër e kontinentit do të ketë mot të kthjellët ose me vranësira të lehta.
Temperaturat mbeten të larta në të gjithë kontinentin, me maksimumet që arrijnë deri në 30 gradë në Mesdhe.