Analisti Aleksandër Çipa duke folur per Fatos Nanon tha se ai dinte disa gjuhe madje edhe arabishten, te cilen e kishte mësuar kur ishte në Burg.
Çipa tregoi edhe një episod të veçantë në Kongresin e PASOK-ut në Greqi.
“Në takimet që bënte me delegacionet e huaja, Fatos Nano kur po shëtiste në pavijonet e Kongresit të PASOK-ut në Athinë, komunikonte me shumë gjuhë.
Komunikonte me anglezët, italianët, spanjollët, gjermanët dhe arabët. Kryeministri i atëhershëm i Greqisë, Kostas Simitis, kur e dëgjoi që po fliste edhe arabisht, iu drejtua Nanos me një shprehje gati poetike:
“Ju ditkeni edhe gjuhën e zogjve!”
Ky ishte një episod i Kongresit të PASOK-ut”, kujton Çipa.
Ndërsa Bedri Islami, në një lidhje direkte me studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN, tregoi se si e ka njohur Fatos Nanon që në kohën kur ish-kryeministri ka qenë gjimnazist.
“Fatos Nanon e kam njohur që kur ishte gjimnazist te “Petro Nini Luarasi” dhe më pas u ribashkuam në Partinë Socialiste, unë si gazetar, ndërsa ai si anëtar i udhëheqjes.
Për kohën ka qenë rebel.
Po të mos ishte djali i asaj familjeje që ishte, vështirë se mund të shkonte në universitet dhe vështirë se mund të bëhej anëtar partie.
Ishte një nga djemtë që e quanin veten “Bitëllsat e Petro Ninit”. Ishte i dobët, i imët, nuk ta mushte syrin për asgjë.
Askush nuk e besonte se një ditë do të ishte kryeministër i Shqipërisë. Ishte një djalosh që nuk vihej re në atë kohë.
Edhe më vonë kur e kam takuar, ishte po i njëjti. Ai tallej me komunizmin, tallej edhe me artikujt që botonim në “Zërin e Popullit”. Ai tallej me shumë gjëra që komunistët i quanin të shenjta. Fatos Nano nuk do të kishte të ardhme nëse do të vazhdonte ajo politika e ashpër e para vitit 1985”, tha Islami.